27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Afera e rrugës së Kardhiqit/ Prokuroria dërgon në gjyq biznesmenin Agron Hysa për falsifikim

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten më 19 shtator përfundimin e hetimeve ndaj ish-ortakut të shoqërisë “Vëllezërit Hysa”, Agron Hysa dhe ortakut të vetëm të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, Elton Musta. Por ashtu, çështja në ngarkim të dy të pandehurve për veprën penale “Falsifikimi i Dokumenteve” kryer në bashkëpunim, është dërguar për gjykim.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se Musta ka krijuar formalisht në qershor të vitit 2014 shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim”, teksa vijonte të ishte i punësuar tek shoqëria “Vëllezërit Hysaj”.

“Hetimi provoi se shoqëria ‘Sulova Ndërtim’ nuk ishte gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë ‘Vëllezërit Hysa’ e cila përdorej nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë ‘Sulova Ndërtim Prodhim’”, citohet në njoftim.

Hysa dhe Musta akuzohen se në procedurën për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë, kanë paraqitur të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë.

Në njoftim thuhet se hetimi tregoi se paraqitja e shoqërisë “Sulova” apo edhe “IRCOP” dega Shqipëri, në procedura prokurimi është thjesht një veprim formal pasi në të vërtetë pas tyre fshihej shoqëria “Vëllezërit Hysa”.

Dy shoqëritë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” janë pjesë pjesë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, po për këtë tender. SPAK ka vendosur nën akuzë për ketë aferë dhe ish-drejtoren e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato si dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni.

Reporter.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *