27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Afera e Unazës/ ARRSH: 4.2 mln euro shtesë për lotin 3 se u ndërtua gabim

Klodian Tomorri

Qeveria do të paguajë 4.2 milionë euro të tjera shtesë për përfundimin e lotit 3 të segmentit Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja me justifikimin se vepra është ndërtuar keq dhe nuk është e qëndrueshme. Loti 3 i këtij segmenti fillon menjëherë pas mbikalimit të pallatit me Shigjeta dhe përfundon tek nënkalimi i Astirit.

I gjithë ky segment ka një gjatësi totale prej 740 metrash dhe u tenderua në vitin 2018. Pas përfundimit të tenderit, fituese u shpall kompania Victoria Invest, e cila ofroi çmimin 1 miliardë e 180 milionë lekë pa TVSH ose rreth 10 milionë euro.

Por ARRSH thotë se tani duhen para të tjera, pasi vepra është projektuar keq. Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë të martë një tender me fond limit 468 milionë lekë me objekt prokurimi “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja Loti 3”. Shtesa prej 468 milionë lekësh e rrit me 42 për qind koston e ndërtimit të kësaj rruge duke e cuar në 14 milionë euro në total për një segment me gjatësi vetëm 740 metër.

Në relacionin teknik bashkangjitur dokumentave të tenderit, ARRSH thotë se loti 3 i këtij segmenti dhe veprat e artit pjesë përbërëse e tij, janë projektuar keq, me themele të cekëta dhe nuk janë të qëndrueshme ndaj duhen para të tjera për t’i përforcuar.

“Bazamenti nuk siguron aftësinë mbajtëse të kërkuar përpërballimin e veprimeve dhe ngarkesave në ballna. Duhet të merret nëkonsideratë mbështetja e ballnës mbi themele të thella,” thuhet në relacion.

Ndaj sipas ARRSH, pas vlerësimit dhe kontrollit numerik të sforcimeve në tabanin e themelit masiv, si edhe bazuar në klasën e rëndësisë së veprës, u vendos që strukturat të kenë themele të thella(pilota), që të transferohen me sukses të gjitha veprimet llogaritëse tek nën-shtresat me aftësi të lartë rezistuese.

Segmenti i Unazës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja është 2.4 kilometra i gjatë dhe ka tre lote në total. Ky segment u shndërrua në epiqendrën e një skandali të madh, kur në lotin e parë, atë që përfshinte rrethrrotullimin e sheshit Shqiponja ARRSH shpalli fituese një kompani fantazmë të quajtur DH Albania. Kjo çoi në anullimin e tenderit për lotin e parë, ndonëse në të tre lotet skema ishte thuajse e njëjtë, me një ofertë të vlefshme dhe një kompani fiktive që hynte për koperturë.

Rritja me 42 për qind e kostos për lotin 3, sipas qeverisë ndodh për shkak se vepra është projektuar dhe ndërtuar keq. Por Ministria e Infrastrukturës apo ARRSH nuk kanë bërë asnjë kallëzim në prokurori për kompaninë që e ka projektuar gabim segmentin, ndërkohë që qytetarët detyrohen të paguajnë miliona euro shtesë për segmentin e artë nga Pallati me Shigjeta në ZSheshin Shqiponja, kostoja e të cilit ka kërcyer shumë më tepër nga parashikimet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *