27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Agnelli, Benetton, Del Vechio, çfarë ndodh me perandoritë e pasurve kur ata ndahen nga jeta

Këto ditë avokatët pritet që të hapin testamentin e Silvio Berlusconit. Cila ka qenë fjala e fundit e Kavalierit? Kujt do t’ia lërë aksionet e Fininvest, shoqërisë holding që kontrollon të gjithë asetet e tij? Do të ketë zgjedhur vetëm një trashëgimtar apo do t’ia ketë besuar kolegjialitetit të ardhmen e perandorisë së tij?

Këto janë pyetjet që ngrihen gjithmonë sapo ndahet nga jeta një miliarder. Dhe për të kuptuar se çfarë bëjnë të pasurit me trashëgiminë e tyre pasi ikin nga kjo botë duhet të hedhim një sy në të shkuarën. Në Itali ka tre modele të ndryshme, që i përkasin familjeve Agnelli, Del Vechio dhe Benetton.

Agnelli, një komandant i vetëm

Familja sipërmarrëse, simbol i Italisë moderne sot zotëron një pasuri me vlerë 33 miliardë euro. Njeriu kyç i saj, avokati i famshëm, Gianni Agnelli gjithmonë ka patur një parim shumë të qartë: “duhet të ketë vetëm një komandant në krye, që të marrë vendimet”. Pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 2003, avokati ia besoi administrimin e perandorisë së tij, nippit 37 vjeçar John Elkann, që tani drejton “Dicembre-n”.

Bëhet fjalë për shoqërinë, që kontrollon kuotat e ndërmarrjeve më të rëndësishme të familjes, mbi të gjitha Exor-it, që sot ka një vlerë tregtare prej 33 miliardë eurosh.

Sipas testamentit të Gianni Agnellit sot 60 për qind e aksioneve të Dicembres kontrollohen nga John Elkann, ndërsa 40 për qindëshi tjetër ndahet në mënyrë të barabartë mes Lapo dhe Ginevra Elkann.

Del Vechio, unanimitet dhe administrim nga jashtë

Leonardo Del Vechio, njeriu që themeloi gjigandin e syzeve Luxottica u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë. Në testamentin që la, ai e ndau pasurinë në mënyrë të barabartë mes 8 trashëgimtarëve të tij.

Secili prej tyre sot zotëron nga 12.5 për qind të kuotave në shoqërinë holding Delfin, kasaforta që sot vlen 80 miliardë euro. Përtej kësaj, Del Vechio la pas një status që imponon thuajse unanimitet për vendimet delikate dhe një manaxher të jashtëm në administrimin e kompanisë.

Menaxheri është Francesco Milleri, i cili sipas dëshirës së Del Vechios do të qëndrojë në krye të Luxottica-s, deri në fundin e jetës së tij. Dhe kjo strukturë drejtimi mund të ndryshohet vetëm me 88 për qind të votave aksionare, që do të thotë praktikisht me unanimitet.

Benettonët, familja kolegjiale

Gilberto, Carlo, Giuliana e Luciano Benetton, themeluesit e një grupi që vlen 12 miliardë euro, vendosën që të ruajnë të njëjtën strukturë pronësie dhe menaxhimi në Perandorinë e tyre.

Edizone, shoqëria holding që kontrollon pasurinë e familjes, që nga themelimi i saj ka qenë e ndarë në mënyrë të barabartë mes 4 degëve familjare. Secila prej familjeve ka kontrolluar historikisht 20 për qind të kuotave përmes një shoqërie holding, dhe 5 për qind në mënyrë direkte.

Katër kuti për katër familje. Një kolegjialitet që është replikuar totalisht në strukturën aksionere të shoqërisë holding Edizione, e cila kontrollon të gjithe pasurinë e Bennetonëve. Sot kjo shoqëri drejtohet nga Alessandro Benetton, djali i Lucianos dhe statuti i saj garanton ruajtjen e kolegjialitetit edhe në brezat e ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *