28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Konkurrenca gjobit AIR BP Albania se nuk dorëzon kontratën origjinale të shitjes së aksioneve

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të gjobisë me 3 milionë lekë shoqërinë AIR BP Albania, që ka monopolin e furnizimit të avionëve me karburant në Rinas, për shkak se kompania ka deklaruar të dhëna të rreme mbi ndryshimin e pronësisë.

“Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar dhe vlerësuar dokumentacionin e dosjes së depozituar nga shoqëria AIR BP ALBANIA SHA nga ku u konstatua se kjo shoqëri nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë datën e lidhjes së marrëveshjes,” thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Marrëveshja të cilës i referohet AK është ajo e shtatorit të vitit të kaluar, ku gjysma e aksioneve të shoqërisë AIR BP Albania u shitën tek një guackë hollandeze e quajtur United World Technologies B.V. (Lexo këtu lajmin për shitjen e aksioneve).

Pas njoftimit të transaksionit për shitjen e aksioneve, Autoriteti i ka kërkuar shoqërisë që të depozitojë marrëveshjen ashtu si e kërkon ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Por kontrata është depozituar e paplotë dhe me të dhëna të pasakta.

“Nga dokumentacioni i depozituar vlerësohet se shkelja e shoqërisë AIR BP ALBANIA SHA është e natyrës administrative. Në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës vendos gjobë në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit paraardhës financiar, mbi ndërmarrjet apo grupimet e ndërmarrjeve nëse japin të dhëna të pasakta, të paplota ose të rreme në njoftimet,” thuhet në vendimin e AK.

Burime zyrtare nga Autoriteti i Konkurrencës thanë për Oligarkia.al se fillimisht AIR BP nuk e ka deklaruar marrëveshjen brenda afatit ligjor. Më vonë kompania e ka depozituar dy herë kontratën, por pa datë.  Në pamundësi për të verifikuar marrëveshjen, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të gjobisë shoqërinë AIR BP në masën 3 milionë lekë, ashtu sicc përcaktohet nga neni 55 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Blerësi i gjysmës së aksioneve të AIR BP, rezulton një fondacion i krijuar rishtazi në Hollandë, pa xhiro dhe pa historik. Sipas regjistrit të QKB, pronarët e fondacionit janë sekretë dhe përfaqësohen nga dy konsulent taksash në Holandë, Zoya Gyurova dhe Nikita Vinogradov. Gyurova dhe Vinogradov janë dy punonjës të një kompanie të quajtur Strike Tax Legal në Hollandë, e cila këshillon të pasurit si të investojnë dhe ruajnë pasurinë e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *