28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

AKEP shpall tenderin për frekuencat e teknologjisë 5G

Është hapur tenderi për dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400-3800 MHz, në 5 blloqe të organizuara për operatorët, të cilat do të nevojiten për zbatimin e rrjetit 5G. Të drejtat e përdorimit jepen me qëllim ndërtimin e rrjeteve tokësore të komunikimeve elektronike për të ofruar shërbime të komunikimeve elektronike në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, rreth 55% e popullsisë do të ketë mbulim me shërbim 5G deri në fund të vitit 2027, ndërsa pritet që deri në vitin 2030 të përdoret tekonologjia 5G nga 85% e popullsisë.

Deri në fund të vitit të ardhshëm, Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, Sarandës, Porto Romanos, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i Kukësit, Vlorës, Zona industriale Tiranë – Durrës, si dhe Qendrat Spitalore të Tiranës, do të kenë mbulim me shërbimin 5G në brezin e autorizuar, pjesë e spektrit 3.4 GHz – 3.8 GHz. Ky mbulim do të shtrihet në të gjitha qytetet e Shqipërisë deri në vitin 2028.

Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave do të jetë 17 tetori, ndërsa vlera minimale e pranueshme për ofertuesit me qëllim dhënien e një autorizimi individual për përdorimin e frekuencave në brezin 3400-3800 MHz, do të jetë jo më pak se 3,6 milionë euro për një të drejtë përdorimi për bllok me 80 MHz dhe jo më pak se 1,8 milionë euro, për një të drejtë përdorimi për bllok me 40 MHz.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *