Një nga aksionerët e koncesionit 1.3 miliardë euro të rrugës Lekaj Fier është përjashtuar nga tenderat publikë. Kompania projektuese Sphaera shpk, e cila zotëron 0.5 për qind të koncesionin Lekaj Fier është ndaluar të marrë pjesë në tendera publikë për 5 muaj. Vendimi i përjashtimit ka ardhur nga Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila ka konstatuar se kompania ka shkelur ligjin.
Sphaera shpk është një nga 8 kompanitë e konsorciumit, që u shpall fitues në koncesionin e shupërfolur të rrugës Lekaj Fier. Konsorciumi i cili drejtohet nga kompania Fusha do të ndërtojë dhe shfrytëzojë për 35 vjet segmentin Lekaj-Konjat-Fier, dhe në këmbim do të arkëtojë para nga tarifa e kalimit.
Sipas dokumentave zyrtare, ky koncesion parashikohet që në skenarin bazë të të ardhurave të arkëtojnë rreth 1.3 miliardë euro. Ndërtimi i rrugës me gjatësi 46 kilometra ka një vlerë investimi prej 320 milionë euro pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe kalon në gjurmën ekzistuese, që është ndërtuar me para publike.
Përjashtimi nga tenderat
Përjashtimi nga tenderët publikë i operatorëve ekonomikë mund të bëhet për afate të ndryshme që variojnë nga 3 muaj në 3 vjet dhe kjo bëhet nga APP pas sinjalizimeve që merren.Shkak për përjashtimet bëhen keqinformimit dhe paraqitja në tender e dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme, sipas përcaktimeve që bëhen në ligjin respektiv të prokurimeve. Në të tjerë raste operatorët mund të jenë përjashtuar pasi kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi, autoritetin kontraktor ose kanë paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme.
Sa i takon dokumentacionit APP vëren se në të kaluarën keqinformimi është bërë përmes paraqitjes në tender të deklaratës së gjendjes gjyqësore, ku shoqëria ka deklaruar se nuk është dënuar për shkelje penale.
Po kështu një pjesë e ndërmarrjeve mashtrojnë sa i takon informacionit të dhënë në vetdeklarimin mbi mosangazhimin e inxhinierëve të stafit të tij apo drejtuesit teknik në kontrata të tjera, apo atij për pagimin e detyrimeve tatimore. Por teksa plotësimi i dokumentacionit teknik-ligjor është njëra anë, zbatimi i kontratës është një tjetër që mund të shërbejë si shkak për përjashtimin kur operatorët nuk përmbushin detyrimet kontraktuale.