Ministrja malazeze e Transportit, Maja Vukiçeviç, deklaroi në parlament se qeveritë e mëparshme kontribuan që Tirana të shndërrohej në qendër rajonale të aviacionit me vendime të këqija, në dëm të aeroporteve shtetërore dhe se qeveria e 43-të e kryesuar nga Abazoviç ishte më përgjegjësja për këtë.
Ajo tha se duhet të hetohet nëse vendimet e marra nga qeveria e Abazoviç kanë qenë të qëllimshme për të dëmtua drejtpërdrejt aeroportet malazeze, në favor të Tiranës.
“Kur bëhet fjalë për qytetarët malazezë që përdorin aeroportin e Tiranës, edhe pse deputeti Abazoviç e relativizon këtë numër, të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2023 këtë aeroport e kanë shfrytëzuar 53 mijë malazezë dhe se i njëjti trend ka vazhduar edhe gjatë 2024-ës,” deklaroi Vukiçeviç.
Ajo tha se ky fakt mjafton që organet kompetente të merren me vendimet që ndikuan në zhvendosjen e qarkullimit në aeroportin e Tiranës.
“Qëndrimi im për këtë çështje nuk është asgjë e re, sepse të njëjtën gjë e kam thënë menjëherë pas marrjes së detyrës, pasi kemi filluar negociatat për kthimin e kompanive me kapacitet të plotë në aeroportet malazeze. Kam pasur mundësinë të shoh në veprim se sa negativisht u ndikua imazhi i aeroportit të Podgoricës dhe sa punë i është dashur administratës aktuale për të rregulluar këtë situatë”, deklaroi kreu i Transportit.