27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Albcontrol, 1.9 mln euro për të trajnuar kontrollorët e rinj

Albcontrol do të shpenzojë 1.9 milionë euro për të trajnuar 30 kontrollorë të rinj të trafikut ajror. Këtë të martë, kompania publike hapi tenderin për kompaninë private që do të bëjë trajnimin e kontrollorëve, të cilët do të menaxhojnë trafikun në aeroporte.

“Pjesëmarrësit në trajnim janë Kandidatë për Kontrollorë të Trafikut Ajror të selektuar nga FEAST dhe nuk kanë njohuri sa i përket aviacionit,” thuhet në dokumentet e tenderit të shpallur nga Albcontrol.

Dy vjet më parë, kontrollorët e trafikut ajror u hodhën në një grevë të përgjithshme për shkak se Albcontrol në vështirësi financiare nga bllokimi i parave prej biznesmenit Beçheti, vendosi të ulë ndjeshëm rrogat.

Greva çoi në ndërprjen e fluturimeve ajrore në Rinas dhe qeveria reagoi me ashpërsi duke arrestuar disa prej grevistëve si dhe duke pushuar nga puna shumë kontrollorë. Për të siguruar vazhdimësinë e këtij shërbimi kritik, qeveria kontraktori kontrollorë nga Turqia dhe Greqia.

Pas ngjarjeve reagoi dhe Sindikata Europiane e Kontrollorëve, e cila e quajti ngjarjen të rëndë, ndërsa veprimet e qeverisë të paligjshme. Disa muaj më vonë grevistët e arrestuar u shpallën të pafajshëm nga gjykata, por disa prej tyre e humbën përfundimisht punën.

Tenderi i ri i Albcontrol synon të trajnojë kontrollorë të rinj për trafikun ajror, për të plotësuar vakancat, që ka aktualisht kompania publike e menaxhimit të trafikut ajror.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *