19 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Alko Impex dhe Edil Al në “garë” për kullën 40 katëshe në pronë publike te 21 dhjetori në Tiranë

Dy firma të fuqishme janë në garë për një nga kullat e radhës në pronë publike në Tiranë. Nga njëra anë është firma “Alko Impex”, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi dhe nga ana tjetër firma “Edil Al”, në pronësi të vëllezërve Dulaku, të cilët merret me ndërtim, turizëm dhe media.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, disa ditë më parë Korporata e Investimeve Shqiptare ka mbajtur një takim sqarues para kualifikimit për nënprojektin “ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”, kontrata “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”.

Bëhet fjalë për disa kulla në zonën e 21 dhjetorit, në vendin ku është aktualisht Agjencia e Trajtimit të Pronave apo edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Gjithashtu, pjesë e projektit është edhe një pjesë e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Nipi i Sadri Abazit dhe Dulakët në “garë” për

Faksimile: Në takimin e Korporatës u interesuan dy firma, “Edil Al” dhe “Alko Impex”

Sipas dokumentit të mësipërm, të hulumtuar nga VoxNews, takimi u zhvillua në ambientet e Korporatës, disa ditë më parë. “Takimi ishte me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të aplikantëve të interesuar shoqëria ‘EDIL AL IT’ shpk dhe shoqërisë ‘Alko Impex’ shpk” thuhet në dokumente.

Por ajo që lexohet nga ky dokument është “kalimi” i Arbër Abazit në ndërtime shumëkatëshe, teksa nga biznesi i pistë, por fitimprurës i pastrimit, do të kalojë në biznesin e ndërtimit. Madje, në një pronë shtetërore.

Nëse deri më tani ka fituar tendera në pastrim, por edhe në rikonstruksione e shtrime sheshesh, tashmë Abazët do të kalojnë te kullat, atje ku të gjithë ndërtuesit kanë gjetur “parajsën”, me fitime të garantuara, për shkak të rritjes së çmimit për metër katrorë. 

Nipi i Sadri Abazit dhe Dulakët në “garë” për

Në foto: Projekti i kullës “Lift Tower” që do të ndërtohet në afërsi të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë

Nipi i Sadri Abazit dhe Dulakët në “garë” për

Korporata shkruan në dokument se në takim ishte prezent edhe studio projektuese. “Qëllimi i takimit ishte sqarimi i pyetjeve të mundshme nga ana e pjesëmarrësve për përgatitjen e aplikimeve” thuhet në dokumente.

Dy firmat pyetën nëse mund të ndryshohet projekti, teksa Korporata shkruan se “po, në këtë fazë ju vihet në dispozicion vetëm koncept-idea, e cila do të negociohet me subjektin fitues, do të analizohet dhe detajohet projekti”. Sipas saj, përveç fasadës dhe formës, çdo gjë tjetër është e negociueshme në lidhje me LIFT Tower.

Pyetja e radhës dhe me spec e firmave ishte se si mund të vlerësohet në vlerë monetare pjesa takuese e Korporatës tek LIFT Tower. “Llogaritja në vlerë monetare bëhet sipas VKM 137, e ndryshuar në 2024. Këto projekte po zhvillohen për shkak të interesit publik. Për Korporatën është e rëndësishme që të zhvillohet interesi publik, prandaj punimet duhet të kryhen paralelisht në të dy godinat. Nuk mund të ecin punimet më përpara tek LIFT Tower se sa tek godina shtetërore: thuhet në përgjigje.

Firmat e pyetën Korporatën se a përfshihet edhe 3 % për strehim social. “Është taksë e Bashkisë. Korporata po përpiqet në bashkëpunim me qeverisjen qendrore

dhe lokale që të reduktojë apo të heqë taksat mbi godinën shtetërore. Leja e zhvillimit është marrë dhe është zbardhur” thuhet në këtë përgjigje.

Çfarë do të bëhet në atë vend?

Sipas projektit, te 21 dhjetori do të bëhet një godinë 40 katëshe. Projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti. Pritet që Kadastra të marrë një përqindje ndërtimi, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i jepet privatit. Pra, për një kullë 40 katëshe, ku do të ndërtohen mijëra metra katrorë, ku çmimi në atë zonë po shkon deri në 3 mijë euro m2, shteti pritet të marrë vetëm ato metra katrorë që ka aktualisht Kadastra. Ose diçka më pak apo më shumë, ku ende nuk dihen zyrtarët të cilët do të negociojnë.

Voxnews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *