Qytetarët shqiptarë tashmë do të kenë mundësi të zgjerojnë investimet në fondet e investimit edhe në vendet e Bashkimit Europian. Deri tani kjo mundësi ka qenë vetëm në fondet vendase të investimeve. Por Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Eurizon Capital S.A. janë shoqëritë e para që licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri për t’u ofruar qytetarëve vendas akses të drejtpërdrejtë në investimet kolektive në Bashkimin Evropian.
Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Shqiptare për të vepruar si ndërmjetës për tregtimin dhe marketimin e aksioneve dhe kuotave të sipërmarrjeve të huaja për investime kolektive në Shqipëri duke ofruar SIK-e të përzgjedhura në Luksemburg të cilat emetohen nga Eurizon Capital S.A.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar gjithashtu njohjen për shoqërinë administruese Eurizon Capital S.A. dhe disa prej fondeve të saj të investimeve.
Alessandro D’Oria, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania deklaroi se: “Mundësia për të ofruar një zgjidhje të përparuar, siç janë fondet kolektive të shoqërisë Eurizon, është jo vetëm një hap i madh për bankën, por edhe një hap themelor për investitorin shqiptar. “
Për Eurizon, një nga aktorët kryesorë në industrinë evropiane të menaxhimit të aseteve, hyrja në tregun shqiptar përbën një hap të mëtejshëm në strategjinë e tij për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar. Ky grup synon të ofrojë një gamë të madhe të zgjidhjeve për investime për të përmbushur dhe plotësuar nevojat e klientëve të ndryshëm sipas profileve të riskut dhe të mbështesë zgjerimin e sektorit të menaxhimit të pasurisë në vend.
Sipas Intesa, kjo lëvizje forcon më tej marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë dhe ndihmon stimulimin e tregut vendas të investimeve, duke nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e sektorit te menaxhimit të pasurisë në Shqipëri.