21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Ansa: Sekuestrohen mbi 58 tonë mbetje toksike nga Shqipëria në Itali

Shqipëria ka dalë sërish në faqet e shtypit ndërkombëtar për eksportin e mbetjeve toksike. Këtë herë destinacioni ka qenë Italia.

Mbi 58 tonë mbetje ekotoksike, të cilat dy kompani të ndryshme italiane me seli në Lombardi po tentonin t’i importonin ilegalisht nga Shqipëria, u sekuestruan nga Guardia di Finanza dhe Agjencia e Doganave dhe Monopoleve në portin e Ankonës në kuadër të operacionit “Metal Gate”.

Përfaqësuesit ligjorë të kompanive të përfshira janë denoncuar për krime të rënda mjedisore.

Bastisjet ndodhën pasi u zbulua se kishte mospërputhje në dokumente gjatë kontrollit të mallrave “sensitive” që po transportoheshin.

Mbetje të deklaruara zyrtarisht si ‘shkarkim alumini’, në realitet karakterizoheshin nga një përqëndrim i lartë i zinkut, plumbit dhe bakrit shumë toksik.

Këta elementë kanë rezultuar të jenë shumë toksikë për mjedisin ujor, duke theksuar rrezikun e mundshëm që mund të paraqesë asgjësimi i tyre i pakontrolluar.

Analiza e mbetjeve, e kryer nga ekspertë të Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit, konfirmoi rrezikshmërinë e tyre, duke i klasifikuar ato si mbetje ekotoksike, raportojnë mediat fqinje.

Kompanitë e përfshira tani do të duhet të përgjigjen për krime si “trafikimi i paligjshëm i mbetjeve”, “gënjeshtra ideologjike e kryer nga një individ privat në një dokument publik” dhe “pengim i aktiviteteve të kontrollit”.

Operacioni u krye në vazhdën e një aktiviteti të mëparshëm që ka çuar në sekuestrimin e rreth 16 tonë mbetje urbane.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përfshihet në një ‘skandal’ të mbetjeve toksike.

Një hetim vijon të jetë i hapur nga Prokuroria e Durrësit sa i përket 102 kontejnerëve që dyshiheshin se mbanin mbetje toksike eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *