Ndërtimet në zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar vazhdojnë me ritëm intensiv. I fundit në radhën e betonit është Plazhi i Llamanit, një nga gjiret më të bukura të Bregdetit Shqiptar.
Në mbledhjen e fundit, që u zhvillua para dy javësh, Këshilli Kombëtar i Territorrit dhe Ujit miratoi më shumë se 60 vendime. Mes tyre, me numër 26, ishte dhe vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin: “The Concave”, Objekt hoteleri dhe shërbime 3 dhe 4 kate dhe pishina, me vendndodhje në Llaman, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bega – 07” sh.p.k.”
Ky në foto është objekti që do të ndërtohet në Plazhin e Llamanit. I pagëzuar me emrin Konkava, ai është projektuar nga studioja portugeze OODA Architechture për llogari të kompanisë Bega-07. Kompania zotërohet nga biznesmeni Arben Muçobega, njëri prej përfituesve më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në Jug dhe Tiranë.
I gdhendur në bregdetin e thyer të Rivierës Shqiptare, The Concave është një hotel premium butik me 63 dhoma, të formuara nga konturet e plazhit të Llamanit.
Sipas përshkrimit të projektuesit hoteli dhe trualli janë të pandashëm, në dialog të vazhdueshëm dhe ndërhyrja ripërcakton bregdetin duke krijuar një identitet koheziv arkitektonik që respekton origjinalitetin e papërpunuar të sitit.
Sipas fotove të publikuar nga studioja portugeze, hoteli do të ngrihet mbi rërën e plazhit, teksa epidemia e betonit tashmë është shtrirë kudo duke mos kursyer asgjë.
Pronësia
Në maj të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike refuzoi dhënien e statusit të investitorit strategjik një projekti për resort në Gjirin e Llamanit, me vlerë investimi 63 milionë euro, propozuar nga kompanitë Bega-07 dhe Capital B. Sipas vendimit të KISH, arsyeja për refuzimin e statusit të projektit ishte paqartësia e pronësisë.
“Zona e projektit nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Në refuzimin e statusit, Komiteti i Investimeve Strategjike zbulon se një pjesë e tokës ishte me pronësi shtetërore. Por Muçobega thotë se hoteli Konkava do të ndërtohet mbi tokën e tij private, të cilën e ka blerë vite më parë dhe nuk ka lidhje me projektin e resortit.