Avokatura e Shtetit shpalli tenderin për të përzgjedhur studion ligjore që do të mbrojë Shqipërinë në një çështje të re arbitrazhi. Sipas njoftimit, objekti i kontratës është “Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar sipas rregullave të UNCITRAL.”
Edhe pse në shpallje nuk bëhet publike çështja e arbitrazhit, Oligarkia.al ka mësuar se bëhet fjalë për padinë 60 milionë euro, që ka ngritur kompania Phoenix Petroleum kundër qeverisë shqiptare.
“Oferta duhet të depozitohen pranë Zyrës së Protokollit të Avokaturës së Shtetit deri në datën 13 qershor ora 12:30,” thuhet në shpallejn e Avokaturës së Shtetit.
Arbitrazhi 60 milionë euro i kompanisë Phoenix Petroleum kundër qeverisë shqiptare u publikua nga Oligarkia.al.
Arbitrazhi
Në shkurt të vitit 2013, qeveria miratoi marrëveshjen hidrokarbure ndërmjet Albpetrol dhe Phoenix Petroleum Gas për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet e naftës Amonicë, Drashovicë e Pekisht – Murriz si dhe në vendburimet e gazit Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Karnë.
Por në vitin 2017 me urdhër të ish ministrit të Energjisë, Albpetrol e prishi marrëveshjen e koncesionit duke argumentuar se Phoenix nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës dhe kishte krijuar detyrime të mëdha financiare ndaj shtetit. Pas prishjes së kontratës, vendburimet u morën sërish në zotërimin e Albpetrol, qe ne ate kohe drejtohej nga Endri Puka, por ky veprim u konsiderua si i paligjshëm nga Phoenix.
Vendimi për të shtetëzuar sërish vendburimet e naftës dhe gazit në atë kohë çoi dhe në një përplasje institucionale mes Albpetrol dhe Ministrisë së Energjisë nga njëra anë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga ana tjetër. Kjo e dyta kundërshtoi veprimet e Albpetrol për shtetëzimin e vendburimeve si të paligjshme.
Phoenix
Phoenix Petroleum është një kompani e themeluar në vitin 2011 nga tre ortakë, shoqëritë Otto Al dhe Albanian Energy Consortium si dhe një shtetas gjerman i quajtur Jurgen Weise.
Pas dy shoqërive të para qëndrojnë shqiptarët Naim Kasa dhe Isuf Berberi. Më vonë shoqëria ka ndërruar disa herë pronësi, por brenda të njëjtit grup. Aktualisht ajo rezulton me status të pezulluar dhe pronari i vetëm i saj është Isuf Berberi me 100 për qind të aksioneve.
I njëjti grup personash ka dhe një histori tjetër arbitrazhi me shtetin shqiptar për vendburimet e Cakranit dhe Gorishtit. Këto vendburime fillimisht iu dhanë kompanisë Stream Oil, por më pas ndërruan disa herë duar dhe përfunduan në pronësi tek GBC Oil me pronar Naim Kasën. Edhe këto burime u shtetëzuan nga Albpetrol për mospërmbushje të kushteve të kontratës. Por GBC e paditi Shqipërinë në arbitrazh dhe në vitin 2020, Gjykata vendosi që Shqipëria duhet t’a kompesonte kompaninë me 12.5 milionë dollarë.