28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Arlind Qori i përgjigjet Ramës/ Protesta që i prishi pushimet padishahut

Arlind Qori

Sot në mëngjes padishahu u ngrit me nerva. “Një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste” ia kishte dalë të niste një zinxhir reagimesh te qytetarët dhe opinionbërësit shqiptarë që kundërshtojnë ngritjen e përbindëshit të radhës prej betoni në qendër të Tiranës. Përveç mllefit të shumë qytetarëve që do të hanë pluhur për të paktën shtatë vjet, nisën të bëzajnë edhe media që i ka nën kontroll, edhe gazetarë që i kanë shërbyer për vite me radhë. Çka duhet të kalonte si një krim i pazëshëm ndaj qytetit dhe qytetarëve u shndërrua në krim ku viktimat e ardhshme protestojnë, madje ulërijnë, në mes të gushtit, atëherë kur padishahu nga shkuar me pushime. “Qerrata milet!”

Padishahu surratvrerosur nuk kishte reaguar kurrë kështu, me një editorial të tërë të shkruar rromapërtoma, as kur e goditën me vezë në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale, as kur dhjetëra mijëra studentë bllokuan Rrugën e Durrësit, as kur mijëra qytetarë iu mblodhën poshtë sarajit me rastin e rritjes së çmendur të çmimeve. Diç e ka bezdisur më shumë se zakonisht: orvatja e prishjes së një ëndrre, realizimi i të cilës do ta shndërrojë në njeriun më të pasur në Ballkan dhe, në delirin e tij të pashërueshëm, do ta bëjë njëkohësisht edhe figurën më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. “Si guxojnë këta jezitër?!”

Padishahu ynë është oksidental në propagandë. Për ta përligjur përbindëshin më të lartë të Ballkanit, iu referua një konkursi ndërkombëtar, me juri të ububushme, me firma daneze, me mijëra inxhinierë, madje edhe me një shqiptar të mrekulluar nga drejtësia e padishahut. Mirëpo kulla, edhe në qoftë më e bukura e historisë së kullave, nuk do të ngrihet në shkretëtirë, si piramidat e paraardhësve të tij imagjinarë, por në mes të një qyteti me dendësi urbane gjithnjë e më të papërballueshme. Në këtë kuptim, diskutimi mbi bukurinë arkitekturore fsheh faktin që qyteti dhe qytetarët e Tiranës do të kenë një park më pak, do të helmohen për vite të tëra nga pluhuri dhe grimca të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, do të shohin copëza gjithnjë e më të ngushta qielli – të burgosur në një qytet që ngrihet lart, intensifikohet në qendër, zhduk trotuare e hapësira publike, shfaros këndet e lojërave dhe fushat për fëmijë dhe ku të gjithë janë të ftuar të blejnë me para që nuk kanë.

Padishahu ynë është vizionar. Hajdut, por vizionar. Më deliranti i hajdutëve, më i rrezikshmi i vizionarëve. Ndaj e sheh veten si Faust i ditëve tona, që do të sjellë qytetërimin në fushat e Kurrkundit, do të hedhë dritën e qendrave tregtare mbi shtëpitë e fukarenjve. Po ndryshe nga Fausti që ngrinte diga për të fituar tokë, padishahu ynë zapton tokë për të ngritur kulla. Gjithnjë në emër të progresit. Për projektet e tij është i gatshëm të sakrifikojë gjithkënd e gjithçka, si Fausti dy pleqtë kasollja e të cilëve i bënte hije pallatit të tij. Po pa brerjen e ndërgjegjes së një Fausti, pa përballjen tragjike të asaj epoke midis modernizimit dhe inercisë shoqërore, por si një kodosh i madh në trup dhe i vogël në karakter, që po përpiqet t’i fusë të gjitha vezët në një trastë.

Afërmendsh padishahu nuk mund të jetë vizionar nëse nuk përfytyron përballë një aleancë të madhe të së keqes që nis me Lëvizjen BASHKË dhe mbaron me oborrtarët e tij që kanë nxjerrë gishtin e vogël të këmbës jashtë gardhit. Ne, lakuriqtë e natës, jemi shumë. Po për çudi, për herë të parë në historinë e tij politike, madje edhe në kohën kur padishahu ynë ishte shkrues gazetash, në radhët e lakuriqëve që i dalin përpara shqiponjës nuk përmendet “Non Grata”, derëziu Sali Berishë. Kësaj radhe ka qenë luajal. As ka akuzuar njeri. Madje nuk ka pipëtirë fare. “Rroftë kulla që do të mbajë në këmbë edhe për ca kohë dordolecin me të cilin trembin votuesit tanë tradicionalë!”

Padishahu ynë me gjuhë e kalem oksidentali e di mirë rëndësinë e pronës private dhe kontratave mes privatëve. Kështu që përdor praktikën e këmbimit të shalqirit dhe 500 lekë për të justifikuar zaptimin e një parku. “Marrëveshje mes privatësh o qerrataj!” Mirë, mirë, po aty kishte një park, hapësirë publike. E sigurt që ai truall i takon një pronari të vërtetë apo është stisur rentieri i radhës? Edhe në qoftë pronë private, çfarë e pengon shtetin ta kthejë truallin në pronësi publike për ta bërë lulishte?! Ligji ia lejon, interesi dhe shëndeti publik e kërkojnë. Po askujt në piramidën e pushtetit nuk i shkon ndër mend. Sepse nga ndërtimi i një parku nuk përfiton askush. Përfitojnë qytetarët, por ata janë askushi në sytë e padishahut. E çojmë arsyetimin edhe më tutje dhe përfytyrojmë një shtet që nuk ka para për ta dëmshpërblyer pronarin e truallit sipas ligjit. Po pse jepet leja për kullë dhe jo, bie fjala, për një fushë tenisi të ndërtuar me paratë e pronarit të truallit, ku ky i fundit do të fitonte si sipërmarrës i vogël dhe jo, siç pretendon padishahu, gjysmën e kullës?! “Ç’më rrokanis kokën?! Ne duam të bëjmë lekë, ti e ke mendjen te njerëzia.”

Nëse ndokush ka pasur një grimcë dyshimi për vizionin e padishahut për zhvillimin, pas çarçaf-jastëk-dyshek reagimit të tij kuptohet qartë se çfarë synon dhe çfarë do të arrijë ai nëse e lëmë në pushtet gjatë. Për të, kullat janë njëlloj si shkollat, spitalet e rrugët – shenja të progresit të pashmangshëm të qytetërimit. Do të thotë dikush se ka plot qytete nëpër Evropë që janë tejet të zhvilluara, por nuk kanë kulla, ose të paktën nuk kanë kulla në qendrën historike të qytetit. “Punë e madhe! Shikoni Manhatanin!” – do të përgjigjej padishahu pa i dalë mirë gjumi, pasi e ka parë veten në ëndërr si Robert Moses-i. Po Moses-i, ky pinjoll kontrovers i modernizmit, vërtet prishte shtëpi përdhese e ngrinte pallate gjigande në Nju Jork, por njëkohësisht hapte plazhe të reja, ndërtonte rrugë të gjera, ura, tunele etj. Ndërkohë që padishahu ynë dhe satrapët e tij nuk po mbarojnë dot unazën e qytetit. Vetëm kulla, kulla e kulla, të gjitha në qendër, gjithnjë e më afër njëra-tjetrës, pa rrugë e infrastrukturë të përshtatshme rreth e përqark, pa parqe e vende çlodhëse. Vetëm beton, pluhur e skela. Kulla jo vetëm si model zhvillimi, por edhe si motor zhvillimi. Kështu e gënjen veten padishahu, pa e vrarë shumë mendjen se sektori i ndërtimit është lokomotivë e (keq)zhvillimit vetëm në vende ku egërsirat në pushtet kanë zhdukur çdo potencial të zhvillimit të bujqësisë, industrisë e shërbimeve, paratë e pista duhen ngurosur dhe lulëzon spekulimi. “Përpara!”

Padishahun e trazon diç më shumë se kaq. I sotmi nuk është fundi i procesit të kullëzimit të qytetit. Me gjasë jemi vetëm në fillim të një procesi shumë të gjatë e tjetërsues. “Nuk keni parë asgjë akoma!” Na e thotë vetë ai: “Kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë.” Me fermanin e sotëm padishahu do të përgatisë terrenin për çka do të ndodhë pas ngritjes së kullës së fundit. Ai nuk do kundërshtarë, nuk do as dëshmitarë të plojës së vet urbane. Nuk i duhen qytetarë. I nevojiten vetëm nënshtetas të dorëzuar, që e pranojnë si të natyrshme mbytjen e qytetit, që ndërrojnë temë nga pafuqia dhe në fund detyrohen të brohorasin në kor arritjet e padishahut.

Ai do të na vërë jo vetëm përpara faktit të kryer, por edhe përpara fakteve që do të kryhen me domosdoshmërinë e rënies së shiut nga lart-poshtë. Kulla që po ngrihet sot (ndërkohë që po shkruaj këto radhë, më njoftojnë se fadromat kanë nisur qethjen e pemëve) nuk do të jetë e fundit për atë park. Në pjesën tjetër të parkut mund të ngrihet një, dy, pse jo edhe tre kulla të tjera. Ka vend për një kullë edhe te lulishtja përpara Partizanit të Panjohur, ku gojët që lajmërojnë të ligën thonë se po gatuhet leja e ndërtimit. Pastaj e ka radhën Parku Rinia. E mbani mend që pak vite më pare diskutohej që aty do të bëhej parking? Tajvani është pronë private, apo jo?! Hajde një kullë në vend të tij! Pastaj një kullë edhe te shatërvani. Në mbettë ndonjë copëz lulishteje, mund të përdoret si dekor i kullave.

Gjithsesi preja e madhe që po kërkon padishahu është Parku i Liqenit; parku të cilit në 30 vitet e fundit i janë gllabëruar mbi 40 hektarë për të ngritur në hyrje të tij përbindësha prej betoni, aty ku ka ende parkingje e lokale që presin lejen e ndërtimit. Parku të cilit ia kanë vënë syrin të gjithë oligarkët dhe trafikantët e vendit. Parku nuk do të zaptohet i gjithi në një ditë, por çdo vit në të do të nisin punimet për 2-3 kulla, në emër të zhvillimit dhe investitorëve strategjikë, në emër të pronarëve të sajuar, në emër të Progresit të Pararcaktuar nga Ligjet e Hekurta të Historisë.

Në mendjen e padishahut tonë gjithnjë e më të plakur ka gjithmonë vend për diç më shumë se vjedhja, përvetësimi, pastrimi i parave, nginja e oligarkëve, joshja e trafikantëve, kompromentimi i pseudo-opozitës dhe mbajtja në këmbë e një ushtrie jeniçerësh e bashikozukësh që blen e kushtëzon vota. Ai në fund kërkon lavdinë. “Kush qenka Skënderbeu përpara meje?!” Këtë zë dëgjon në kokë. E dëgjon edhe nga eunukët e oborrtarët që e rrethojnë. Si çdo njeri i vogël me pushtet të madh, ai kërkon të hyjë në histori. Pavarësia nuk shpallet përsëdyti. As ndonjë pushtues nuk kemi rretheqark.

Emancipimi i shoqërisë, pastaj, nuk është punë padishahësh. Ndaj kërkon t’ia veshë me shkelm derës së historisë si bartës i një qytetërimi të ri shqiptar, atij të kullave, duke fshehur në garazhet e tyre hordhinë e trafikantëve që financojnë ndërtuesit, si ata që denonconte i ndjeri Fernando Villavicencio, kandidat për president i Ekuadorit i vrarë pardje nga mafia rajonale, kur vinte gishtin edhe te mafia shqiptare e trafikantëve të drogës që kishin kapur për fyti vendin e tij.

Padishahu do ta materializojë lavdinë e tij. Ai e ka në kokë kullën e fundit, më të lartën në botë, në majë të së cilës, si në Pallatin e Sovjetëve që nuk arriti të ndërtohej në Moskën e epokës staliniste, do të ngrihet monumenti i Padishahut tonë që sheh nga e ardhmja e ndritur, poshtë këmbëve të të cilit shtrihet Skënderbeu.
“Hosana!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *