7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Arrestohet Ilir Beqaj

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është arrestuar sot (4 korrik) me kërkesë të SPAK dhe urdhër të firmosur nga GJKKO-së. Arrestimi i tij është kryer në lidhje me hetimet e SPAK për abuzim të fondeve të huaja në SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik gjatë kohës që ai e drejtonte.

Në pranga ka rënë dhe bashkëpunëtori i tij, njeriu i besuar Ermal Kurtulaj i cili ka mbajtur dhe postin e koordinatorit të projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC dhe Alfred Nikolla.

Dosja e abuzimeve me fondet e BE-së gjatë kohës që ai ishte drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) po hetohet nga prokurorja Elida Kaçkini.

Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla të cilët janë arrestuar sot janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Beqajt.

Hetimet kanë nisur në shtator 2023, ndërsa procedimi ishte regjistruar në emër të Ermal Kurtulajt, koordinator i një projekti me fondet e BE-së, ndërkohë që dyshohet se i përfshirë është edhe Ilir Beqaj, ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Më datë 29 dhjetor 2023, me urdhër të SPAK u ushtrua kontroll në banesën e Ilir Beqajt.

Beqaj dhe Kurtulaj, sipas vendimit që Shqiptarja.com kishte siguruar për urdhrin e kontrollit të banesave në dhjetor, akuzohen se lëshonin faturave fiktive nga SASPAC për kompani të ndryshme, për përfitues fundor pikërisht këta ta fundit.

Tetë episodet që SPAK përmend vetëm për Kurtulajn lidhen me pagesa që shkojnë gjithsej disa dhjetëra mijëra euro, ku veçohen një faturë 35.200 euro me “Nine Servicec INT” më 8 gusht, apo dy të tjera me nga rreth 1.7 mln lekë të reja më 20 nëntor po nga kjo kompani. Gjithashtu ‘Nine Services’ ka lëshuar edhe disa fatura të tjera. Fatura fiktive sipas SPAK janë lëshuar edhe nga shoqata si ‘Good Health’ dhe FIAA.

SPAK thotë se Ermal Kurtulaj kishte njohje të hershme me Beqajn, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *