Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituese kompaninë 4-AM në për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës. Në garën me fond limit 379 milionë lekë ose rreth 3.8 milionë euro morën pjesë 3 shoqëri.
Alko Impex ofroi të mirëmbante tunelin për periudhën 2023-2027 kundrejt ofertës 333.7 milionë lekë. Salillari dha ofertën 339.3 milionë lekë, ndërsa kompania 4 AM pati ofertën më të lartë me 378.2 milionë lekë ose sa 99.7 për qind e fondit limit. ARRSH skualifikoi dy ofertat më të ulëta dhe shpalli fituese pikërisht kompaninë 4-AM, e cila e ka patur edhe më parë kontratën për mirëmbajtjen e tunelit.
Kompania Salillari, e cila u skualifikua në tenderin për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës u shpall fituese në tenderin tjetër, atë për mirëmbajtjen e tunelit të Kardhiqit me vlerë 80.6 milionë lekë.
Një vals prokurimesh, ku duket se kompanitë skualifikohen pa bërë zë në tenderat ku kanë ofertën më të mirë dhe në këmbim kompesohen me një tjetër tender dhe gjithçka duket si një garë fiktive.
Megjithatë të dy tenderat e mirëmbajtjes së tuneleve u ankimuan në KPP nga kompania Alko Impex. Por pa u shqyrtuar ende çështja nga KPP, Alko u tërhoq nga ankesa në të dy tenderat në mënyrë të çuditshme.
Si rezultat 4 AM është shpallur fituesja përfindimtare e kontratës 3.8 milionë euro për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës me vlerë në kokë të fondit limit, ndërsa Salillari merr tunelin e Kardhiqit.