Dy ekspertët e pajtuar për auditimin ligjor të pasqyrave financiare të kompanisë që ka me koncesion inceneratorin e Tiranës kanë dhënë dorëheqjen nga detyra duke refuzuar të bëjnë raportin e auditimit për vitin e kaluar. Dy audituesit ligjorë, Edlir Shabani dhe Nerisa Kazazi ishin pajtuar nga kompania Integrated Energy në shkurt të këtij viti për të bërë raportin e auditimit të kompanisë për vitin ushtrimor 2022.
Por përmes një letre drejtuar Bordit të Mbikqyrjes Financiare, IEKA-s dhe administratorit shtetëror të kompanisë Integrated Energy, Shabani dhe Kazazi kanë njoftuar dorëheqjen me argumentin se pas sekuestrimit të shoqërisë dhe pasi kanë parë lajmet në media kanë kuptuar se janë mashtruar nga drejtuesit e kompanisë Integrated Energy.
“Nga zhvillimet e fundit, sipas mediave vizive dhe të shkruara vlerësohet/hamendësohet se zotëruesit e kapitalit themeltar të shoqërisë nuk janë ata që pasqyrohen në ekstraktet përkatëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit” thuhet në letër.
Sipas audituesve, në këto kushte ata nuk mund të vlerësojnë dhe analizojnë të dhënat mbi drejtimin de facto dhe de jure të shoqërisë.
“Ne si auditues gjykojmë se mund të kemi rënë pre e mashtrimit lidhur me vërtetësinë dhe ligjshmërinë e organeve drejtuese, zotëruese të kapitalit të entitetit si dhe rrjedhimisht edhe të vërtetësisë dhe ligjshmërisë të përfaqësuesit ligjor. Po kështu gjykojmë se mund të kemi rënë pre e mashtrimit edhe për vërtetësinë apo ligjshmërinë e politikave drejtuese, veprimeve apo transaksioneve të kompanisë,” vijon letra e dorëheqjes.
Për këtë arsye, dy audituesit thonë se japin dorëheqjen e parevokueshme nga ky mision.
Heqje përgjegjësie
Raporti i auditimit është dokumenti që certifikon vëertësinë e pasqyrave financiare dhe bilancit të një kompanie private. Sipas ligjit në Shqipëri, çdo subjekt me qarkullim më të madh se 30 milionë lekë në vit, është e detyruar që të hartojë dhe depozitojë pranë Tatimeve, por edhe institucioneve të tjera shtetërore raportin e auditimit, të kryer nga një auditues ligjor i licencuar.
Letra e dy audituesve është qartazi heqje përgjegjësie për shkak të lëmshit, por edhe mashtrimeve që kanë ndodhur me transaksionet financiare të inceneratorit të Tiranës, tashmë i sekuestruar nga SPAK.
Për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dy audituesit kanë marrë dhe një miratim nga IEKA për dorëheqjen e tyre. Por Edlir Shabani është audituesi ligjor që ka bërë raportin e auditimit të inceneratorit edhe për vitin 2021.
Nuk dihet se çfarë gjetjesh dhe çfarë opinioni ka dhënë zoti Shabani në auditimin e pasqyrave financiare të vitit 2021, pasi raporti i auditimit nuk është publikuar asnjëherë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çka përbën një tjetër shkelje ligjore.
Por edhe pse ka patur akses tek llogaritë e kompanisë për dy vite rresht, ai thotë në letrën e dorëheqjes se e kuptoi se ishte mashtruar vetëm pas sekuestrimit të kompanisë dhe pasi pa lajmet në media dhe portale.
Zhvillimet në hetimin e inceneratorëve dhe faktimi nga ana e prokurorisë të mashtrimit financiar dhe skemave të evazionit hedhin pikëpyetje jo të vogla mbi rolin e audituesve ligjorë, nëse ata e kanë kryer siç duhet detyrën që u ngarkon ligji apo kanë certifikuar paligjshmëri. Tashmë mbetet për t’u parë nëse këta auditues do të vihen nën hetim nga Bordi i Mbikqyrjes Financiare, institucioni që licencon por edhe kontrollon punën e audituesve ligjor.