9 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Audituesit e pavarur: Mali i borxheve të OSHEE kërcënon vijimësinë e kompanisë

Klodian Tomorri
Në 10 korrik të vitit të kaluar, 6 auditues të pavarur audituan bilancin dhe pasqyrat financiare të OSHEE-së për vitin 2021, që janë dhe të fundit publike. Audituesit listuan në raportin e auditimit 7 çështje për opinion me rezervë.

Kjo praktikisht do të thotë se pasqyrat financiare dhe bilanci i OSHEE janë dëfterë bakalli, që nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë financiare të kompanisë më të rëndësishme të sistemit energjetik të vendit. Por nuk mbaron me kaq. Në raport, audituesit vendosën një shënim për theksim çështje.

“Ne tërheqim vëmendjen për shënimin 5.1 të pasqyrave financiare të konsoliduara duke theksuar se Grupi pësoi humbje 15.7 miliardë lekë në vitin 2021 dhe në total ka një humbje të akumuluar prej 84.5 miliardë lekë. Të gjitha këto ngjarje tregojnë se ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Grupit për të vazhduar sipas parimit të vijimësisë,” theksojnë 6 audituesit.

Por çfarë do të thotë kjo?

Që OSHEE është një kompani zombi e kalbur financiarisht, e cila ka 845 milionë euro humbje të akumuluara. Këto humbje masive kanë gërryer asetet e kompanisë deri në pikën që e kanë shndërruar atë në një aset toksik me kapital negativ.

Sipas pasqyrës së pozicionit financiar të vitit 2021, OSHEE rezulton të ketë 98.6 miliardë lekë asete në total. Por në të njëjtën kohë, kompania ka 143.4 miliardë lekë detyrime. Për rrjedhojë, OSHEE në fund të vitit 2021 kishte një kapital negativ prej 44.7 miliardë lekësh ose rreth 447 milionë euro.

E thënë më shkoqur OSHEE është thjesht një kalbësirë financiare, që nëse sot nxirret në treg nuk vlen asnjë qindarkë.

Viti 2021 nuk ishte një vit problematik. Një vit më vonë Shqipëria u përballë më një dallgë gjigande që shkaktoi kriza energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë.

Përballë pamundësisë financiare të OSHEE për të furnizuar vendin me energji elektrike, qeveria ja kaloi detyrimin e furnizimit KESH. Kjo e fundit u detyrua të importonte gjysmë miliardë euro energji në vitin 2022 dhe fatura masive rrënoi edhe bilancet e KESH.

Deri më tani, suksesi më i madh i reformës energjetike të nisur në vitin 2014 ka qenë ai i infektimit me borxhe të gjithë sistemit energjetik. Manovrat financiare të qeverisë, të ngjashme me ato të kumarxhinjve të zhytur në borxhe, kanë konsistuar kryesisht në transferimin e maleve të borxheve nga njëra kompani tek tjetra.

Herë kreditë i transferohen OSHEE dhe pasi OSHEE u zhyt përfundimisht në pikën e falimentimit, dallga e re e detyrimeve i është transferuar KESH.

Me pak fjalë bilancet financiare të kompanive publike të sistemit energjetik janë letra bakalli që nuk pasqyrojnë të gjithë realitetin e fundosjes së tyre. Por pavarësisht se shifrat janë të pasakta dhe të pasigurta, siç shprehen audituesit, malet e borxheve janë aq të mëdha sa që nuk fshihen dot as me “kalibrimin” e të dhënave.

 

Një ditë më parë, kur lajmëroi uljen e çmimit të energjisë me 1 lekë për konsumatorët familjarë Kryeministri dhe Zv/kryeministrja deklaruan se ky vendim u bë i mundur falë suksesit të reformës, e cila shëndoshi financiarisht sistemin energjetik.

“Kjo është ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike në këto 35 vite. Kjo na mbush me krenari po të marrim parasysh çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen,” deklaroi shefi i qeverisë.

Kjo është ajo që thotë kryeministri nga foltoret e propagandës elektorale. Ndërsa audituesit e bilanceve të kompanive publike kanë vënë firmën e tyre mbi këtë fjali; ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Grupit OSHEE për të vazhduar sipas parimit të vijimësisë.”

Përkthimi? Operacioni i Reformës ishte i suksesshëm por pacienti OSHEE vdiq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *