Bandat shqiptare të krimit po përdorin firma korrierësh të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të transportuar paratë e pista në atdheun e tyre.
Media britanike “Express” i ka kushtuar një artikull bandave kriminale shqiptare që merren me trafikun e drogës dhe që paratë i pastrojnë në Shqipëri.
Sipas policisë, paratë që mendohet se në disa raste janë krijuar nga sipërmarrjet e kokainës dhe kanabisit, po transportohen jashtë Britanisë me furgonë për t’u pastruar në prona dhe biznese.
“Express” ka zbuluar se katër anëtarë të dyshuar të një grupi të krimit të organizuar u arrestuan këtë muaj në Britani.
Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit tha: “Oficerët besojnë se grupi operon si i fshehur pas një kompanie të ligjshme”.
Më 13 prill, një shtetas shqiptar, 48 vjeç, u arrestua në Dover kur në automjetin e tij iu sekuestruan 200,000 £ në kartëmonedha.
Hetimi filloi në shkurt 2022 pasi zyrtarët e Forcave Kufitare ndaluan një shtetas shqiptar në tunelin e Kanalit.
Brenda furgonit të tij, me destinacion Tiranën, oficerët gjetën 390,000 £. Ndërsa 150,000 paund të tjera u gjetën në shtëpinë e tij në Haringey.
Hetimet zbuluan se praktika e përdorimit të firmave që bëjnë transport me makinë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për të lëvizur para të padeklaruara është e përhapur.
Në maj të vitit 2021, policia shqiptare sekuestroi 123,000 £ të fshehura në një furgon Mercedes të dërguar nga korrieri Sihana Transport me qendër në Luton, i cili lëvizte mallra të ligjshme.
Bandat shqiptare të krimit po përdorin firma korrierësh të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të transportuar paketa parash në atdheun e tyre.
Paratë që mendohet se në disa raste janë gjeneruar nga sipërmarrjet e kokainës dhe kanabisit në shtëpi transportohen nga Britania në furgona dhe ato pastrohen nëpërmjet pronave dhe bizneseve.
Sunday Express shkruan se disa persona që merren me këtë aktivitet reklamojnë në rrjetet sociale se ata transportojnë sende të ligjshme nga Britania në Shqipëri, por që në disa raste është zbuluar se transportojnë para të padeklaruar, madje edhe armë zjarri.
Shoferi Olsi Sefolli, 24 vjeç, u arrestua pasi në rreze X u gjet një fshehje e 10 pako me para. Sefolli, nga Durrësi, mohoi në polici të ketë dijeni. Ai tha se e kishte marrë furgonin në portin e Ankonës në Itali nga një tjetër shofer i ardhur nga Britania e Madhe.
Gjatë gjykimit të tij, kushëriri i Olsit, Guxim Sefolli, 30 vjeç, nga Lutoni, i cili zotëron Sihana Transport, dha dëshmi duke pranuar se ai kishte fshehur paratë në furgon pa dijeninë e dy drejtuesve. Ai tha se paratë ishin për të blerë një apartament në Vlorë. Ai mohoi se ishin të ardhura kriminale dhe tha se ishin kursimet e tij të fituara në mënyrë legjitime nga viti 2017 e tutje, dhe ilegalisht në ndërtimet e tregut të zi që nga ardhja e tij në MB nga 2010 deri në 2017.
Guxim Sefolli nuk u përball me asnjë sanksion, por Olsi u shpall fajtor për mosdeklarim parash dhe u dënua me 9 muaj me kusht. E njëjta firmë ra në vëmendjen e policisë shqiptare në prill të vitit të kaluar kur në një furgon të saj në Portin e Durrësit u gjetën tetë pistoleta dhe municione luftarake.
Raportet në Shqipëri emëruan Guxim Sefollin si pronar të furgonit dhe thanë se ngarkesa ishte nisur për në Angli.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë kërkoi mbështetje nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar për të hetuar rastin dhe forcat shqiptare thanë se shoferi i furgonit mbetet nën hetim.