Banka Botërore vlerwson që rritja ekonomike e Shqipërisë të ngadalësohet në 3.6% në 2023 nga 4.8% që ishte një vit më parë. Megjithatë krahasuar me projeksionin e bërë në qershor, banka e ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë me 0.8 pikë përqindje.
Huadhënësi global ka reduktuar parashikimet e tij për 2024 dhe 2025 me 0,1 pikë përqindjeje, duke parashikuar se rritja ekonomike e Shqipërisë do të arrijë në 3,2% në secilin nga dy vitet e ardhshme, sipas raportit të vjeshtës 2023 të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, të publikuar të enjten.
Nga pikëpamja rajonale, Banka Botërore pret që rritja në Ballkanin Perëndimor të ngadalësohet në 2.5% në 2023, krahasuar me zgjerimin prej 3.2% të regjistruar në 2022.
“Konsumi mbeti elastik në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, i nxitur nga rimëkëmbja e fortë e turizmit, ndërsa aktiviteti u dobësua në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi pasi kërkesa e jashtme u përkeqësua, për shkak të një ngadalësimi të mprehtë në BE,” tha Banka.
Një ngadalësim më i mprehtë se sa pritej i zonës së euros, inflacioni i vazhdueshëm i çmimeve dhe një përshkallëzim i tensioneve politike mund të zvogëlojnë më tej rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raport.