27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Banka Botërore: Varfëria në Shqipëri po ulet, por shpopullimi është kërcënim madhor

Banka Botërore raportoi se treguesi i varfërisë në Shqipëri, sipas standardit ndërkombëtar të vendeve me të ardhura të mesme të larta, pritet të ulet sërish këtë vit duke cekur kufirin 20 për qind. Ky standard klasifikon si të varfër popullsinë që jeton me më pak se 6.85 dollarë në ditë.

Sipas Bankaës Botërore, në fund të vitit 2021, qytetarët shqiptarë që jetonin me më pak se 6.85 dollarë në ditë përbënin 27.1 për qind të popullsisë totale. Në fund të vitit 2022, ky tregues zbriti në 23.6 për qind, ndërsa në fund të vitit të kaluar u ul më tej në 21.7 për qind. Banka Botërore parashikon se varfëria do të ulet më tej këtë vit duke rënë në 20.1 për qind e popullsisë.

“Rritja ekonomike e parashikuar pritet të ulë më tej varfërinë, e ndihmuar edhe nga rritja e rrogave si rezultat i shtrëngimit të tregut të punës,” raporton Banka Botërore.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.4 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti ekonomia u zgjerua me 3.97 për qind në terma vjetorë. Megjithatë banka pret që rritja të ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit duke rezultuar në 3.3 për qind për të gjithë vitin. Por pavarësisht rritjes, Banka Botërore paralajmëron se ekonomia shqiptare kërcënohet nga sfida madhore.

“Sfidat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë janë popullsia e saj në rënie, pjesërisht për shkak të emigracionit; cilësia e dobët e fuqisë punëtore dhe cilësia e ulët e vendeve të punës që krijon ekonomia. Këtyre sfidave u shtohen ritmi i moderuar i reformave strukturore, veçanërisht në fushat e klimës së sektorit privat dhe qeverisjes; dhe presionet fiskale në rritje për shkak të rreziqeve klimatike, detyrimeve kontingjente nga partneritet publike private dhe ndërmarrjet shtetërore,” vëren BB

Këto janë risqet e brendshme, të cilat lidhen kryesisht me qeverisjen. Por ekonomia kërcënohet edhe nga risqe të jashtme.
“Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në BE ose shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Rreziqet për rritjen burojnë nga fatkeqësitë natyrore dhe kushtet e pafavorshme globale duke përfshirë zhvillimet gjeopolitike,” përfundon paralajmërimi.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *