Eduard Halimi
Ligji i kaluar në heshtje mes rreziqeve për integrimin, konkurrencën dhe pastrimin e parave.
Të hënën, më 17 mars, në seancën e fundit të parlamentit para zgjedhjeve të 11 majit, ishte dita më e qetë e parlamentit në këtë legjislaturë. Të mërzitur nga dalja e listave dhe të bezdisur si nga gazetarët ashtu edhe nga simpatizantët, deputetët e panë të udhës jo vetëm të mos diskutonin, por as të ishin të pranishëm.
Përfituesja më e madhe e kësaj mungese debati ishte mazhoranca, e cila arriti të miratonte pa kundërshtime me 70 vota pro, dhe 16 kundër, (nga 140) një ligj që ndryshon strukturën e sistemit financiar shqiptar. Që nga viti 2004, kur qeveria socialiste privatizoi Bankën e Kursimeve, sistemi bankar shqiptar është përbërë vetëm nga banka private.
Aktualisht, vendi numëron 11 banka, të gjitha në pronësi private dhe pa asnjë institucion shtetëror financiar që të kryejë veprimtari bankare.
Kam ndjekur nga afër 20 vitet e fundit zhvillimet e legjislacionit dhe rregulloret që kanë formësuar sistemin financiar në Shqipëri si gjatë shërbimit publik dhe atij privat. Për më shumë se 7 vjetësh, ekipi im këshillon disa nga bankat kryesore të vendit.
Sistemi ynë bankar është i mirë rregulluar, megjithëse nuk ka qenë pa sfida dhe kritika. Në dekadën e fundit, janë ngritur pyetje serioze mbi praninë e bankave të regjistruara në parajsa fiskale dhe mbi skemat e mikrokredive “borxh për të shlyer borxhin” të krijuara me lejën e qeverisë dhe që kanë rënduar mbi 100.000 qytetarë shqiptarë viktima të kësaj skeme!
Me krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, qeveria shqiptare po rikthehet në sektorin bankar, duke vendosur një kontroll të drejtpërdrejtë mbi një institucion financiar, diçka që nuk kishte ndodhur që nga vitet 2000. Pas zgjedhjeve të 11 majit, do të jetë qeveria e re ajo që do të ketë në dorë drejtimin e bankës së parë shtetërore në Shqipëri, duke marrë një pushtet që deri tani nuk e kishte. Deputetët nuk besoj se as e kanë lexuar ligjin që votuan kur i dhanë qeverisë që do dalë pas 11 majit, një pushtet që i takon parlamentit dhe jo qeverisë. Le ta shohim me kujdes duke analizuar dhe praktikat e vendeve evropiane!
I. Banka Qeveritare e Zhvillimit: Si do të funksionojë? Roli i qeverisë dhe parlamentit!
Me një ligj me 28 nene gjithsej, Banka e Zhvillimit është një bankë qeveritare, bazuar në organizimin dhe strukturën drejtuese.
Ajo do të funksionojë si një shoqëri aksionare, ku qeveria mban të paktën 51% të kapitalit. Struktura e saj organizative bazohet në katër organe kryesore, të cilat kryejnë funksione specifike në drejtimin dhe mbikëqyrjen e institucionit: Asambleja e Përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës, Këshilli i Administrimit dhe Komiteti i Kontrollit të Brendshëm.
1. Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës i bankës dhe përbëhet nga aksionarët, ku shteti është aksionari kryesor, me të paktën 51% të kapitalit.
2. Këshilli Mbikëqyrës është organi që mbikëqyr aktivitetin e bankës dhe vendos për strategjinë e saj afatgjatë. Përbëhet nga 5 deri në 7 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme. (Qeveria)
3. Këshilli i Administrimit është organi ekzekutiv që drejton aktivitetin e përditshëm të bankës. Përbëhet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe anëtarë që emërohen nga Këshilli Mbikëqyrës.
4. Komiteti i Kontrollit të Brendshëm është përgjegjës për monitorimin e integritetit financiar të bankës. Përbëhet nga 3 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme (qeveria sërish në mazhorancë).
II. Roli i Qeverisë në Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Parlamenti
Ndërsa qeveria ka një rol qendror në funksionimin dhe administrimin e bankës, përmes pjesëmarrjes së saj si aksionari kryesor dhe përmes përfaqësuesve në organet drejtuese, Parlamenti është inekziestent. Qeveria ka ndikim të drejtpërdrejtë në politikat dhe strategjinë e bankës, duke qenë aksionari kryesor dhe përmes mbikëqyrjes nga Këshilli i Ministrave. Parlamenti vetëm sa informohet (njihet ) dhe ai nuk ka asnje rol në mbikqyrjen e saj ( neni 23 i ligjit).
III. Përplasjet me Modelet Evropiane
1. Bankë qeveritare apo nën mbikëqyrjen e Parlamentit?
Në Francë, Gjermani dhe Itali, bankat zhvillimore raportojnë në Parlament. Në të gjitha modelet evropiane të bankave zhvillimore, mbikëqyrja parlamentare është thelbësore për të shmangur keqmenaxhimin dhe abuzimet me fondet publike:
• Francë – Caisse des Dépôts et Consignations (CDC): Neni L518-2 i Kodit Monetar dhe Financiar e vendos këtë bankë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Parlamentit.
• Itali – Cassa Depositi e Prestiti (CDP): Sipas Ligjit Nr. 197/2003, CDP është një shoqëri aksionare, por veprimtaria e saj mbikëqyret nga një komision parlamentar.
• Gjermani – KfW Bankengruppe: Ligji për KfW e vendos këtë bankë nën mbikëqyrjen e Bundestagut. Organi legjislativ (Bundestagu dhe Bundesrat) kryen një mbikëqyrje indirekte nëpërmjet emërimit të 14 anëtarëve (secili nga 7 anëtar) nga 37 anëtar gjithsej në Bordin Administrativ, neni 7 i ligjit. Megjithatë jo një mbikëqyrje direkte si rasti i Francës.
Në Shqipëri, ku qeveria duket se ka frikë apo bezdiset nga kontrolli parlamentar, BZH nuk ka asnjë formë mbikëqyrjeje nga Parlamenti, duke e lënë të pambrojtur nga ndikimi politik i qeverisë. Në asnjë model evropian nuk gjejmë një bankë që varet nga qeveria, por nuk mbikëqyret nga Parlamenti.
Problemet me bankat qeveritare në Francë.
Banka qeveritare franceze, Caisse des Dépôts et Consignations (CDC), është përballur me disa çështje dhe polemika gjatë historisë së saj. Disa prej tyre përfshijnë:
• Investime të diskutueshme: Në vitin 2006, CDC bleu një pjesë të kapitalit të EADS (tani Airbus), të shitur nga DaimlerChrysler dhe Lagardère SCA, duke rezultuar në fitime të mëdha për shitësit dhe polemika mbi përdorimin e fondeve publike.
• Akuzat për konflikt interesi: Në vitin 2009, një filial i CDC-së, Société Nationale Immobilière (SNI), u akuzua për konflikt interesi gjatë blerjes së 26,000 banesave nga kompania Icade. Një raport i Gjykatës së Llogarive (Cour des Comptes) në vitin 2013 vuri në dukje veprime të dyshimta që mund të kenë dëmtuar interesat e organizatave të strehimit social.
• Kritika mbi menaxhimin e fondeve: Në vitin 2015, Gjykata e Llogarive kritikoi një plan të shpërndarjes së aksioneve falas, i zbatuar midis 2007 dhe 2010, që rezultoi në shpërndarjen e 8.62 milionë eurove për 60 punonjës. Në mars 2021, Gjykata e Disiplinës Buxhetore dhe Financiare dënoi një ish-president të CDC me një gjobë prej 100,000 eurosh për këto praktika.
Këto raste tregojnë se edhe në modelet ku ekziston mbikëqyrja parlamentare, bankat qeveritare mund të përballen me abuzime. Megjithatë, kontrolli i rreptë i Gjykatës së Llogarive dhe Parlamentit ndihmon në ekspozimin dhe ndëshkimin e këtyre praktikave.
2. Financimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimi, një problem më vehte.
Në modelet evropiane, bankat zhvillimore nuk mbledhin fonde të drejtpërdrejta nga qytetarët, por përdorin instrumente të mbrojtura nga ligji dhe mbikëqyrja financiare.
Në Shqipëri, ligji lejon që Posta Shqiptare të pranojë fonde nga publiku, por pa rregulla të qarta për mbrojtjen e depozitave.
Nuk dihen ende aksionarët privatë (49%), por bazuar në përvojën e mëparshme, pritet të jenë klientë të qeverisë.Shqetësimi kryesor është transparenca e burimit të fondeve. Shqipëria është në qendër të hetimeve për pastrimin e parave, dhe mungesa e mbikëqyrjes financiare për këtë bankë rrit rrezikun e përdorimit të saj për kapital të dyshimtë. Dergimi i fondeve te publikut me postë përbën jo vetëm risi në një vend Europian por edhe ekspozon një rrezik të madh ndaj pastrimit të parave.
IV. Përplasjet me Kushtetutën dhe legjislacionin rregullator!
1. Raporti me Bankën e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë (BSH) është institucioni i vetëm që rregullon dhe mbikëqyr sektorin bankar, sipas nenit 161 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 8269/1997 për Bankën e Shqipërisë. Vetëm BSH ka të drejtën të licencojë dhe mbikëqyrë institucionet financiare në vend. BSH ka për detyrë të ruajë stabilitetin monetar dhe financiar, duke mbikëqyrur të gjitha subjektet bankare.
Përplasja me Ligjin e ri për BZH:
• Neni 22 i ligjit për BZH: Banka do të raportojë te Banka e Shqipërisë vetëm për qëllime statistikore, por jo për mbikëqyrje financiare.
• BZH do të pranojë fonde nga publiku përmes Postës Shqiptare, një praktikë që në çdo rast tjetër do të kërkonte licencim dhe mbikëqyrje nga BSH, por ligji e përjashton nga ky detyrim.
• BZH do të emetojë instrumente financiare të garantuara nga shteti, por nuk do të ndjekë rregullat e tregut të kapitalit.
Rreziku Ligjor: Ky përjashtim dobëson kontrollin mbi stabilitetin e sektorit bankar, bie ndesh me nenin 161 të Kushtetutës dhe rrit rrezikun e pastrimit të parave. (shih më poshtë)
2. Mungesa e Mbikëqyrjes Parlamentare
• Sipas nenit 23 të Ligjit për BSHZH, banka raporton vetëm në Këshillin e Ministrave, ndërsa Parlamenti thjesht “njoftohet” nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.
• Në modelet evropiane, bankat zhvillimore raportojnë drejtpërdrejt në Parlament, për të siguruar llogaridhënie dhe transparencë.
Problemi ligjor: Mungesa e një kontrolli parlamentar e bën BZH një institucion të mbyllur dhe të ekspozuar ndaj abuzimeve politike.
3. Ndikimi i Bankës së re të Qeverisë në konkurrencën bankare
a. Një lojtar i ri me avantazhe të padrejta në treg
Neni 11 i Kushtetutës përcakton bazat e veprimtarisë së lirë ekonomike, barazinë para Kushtetutës dhe ndalon kufizimet apo monopolet. Banka (BZH), si një institucion shtetëror financiar, do të ketë një pozitë unike dhe avantazhe të konsiderueshme ndaj bankave private.
Ndryshe nga bankat e tjera, të cilat operojnë sipas rregullave të tregut dhe duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për humbjet dhe kapitalin e tyre, BZH do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria, duke e favorizuar në mënyrë të padrejtë.
Avantazhet që e çojnë në deformim të konkurrencës përfshijnë:Kapital i garantuar nga shteti – Ndërkohë që bankat private financohen nga aksionarët dhe depozituesit, BZH mund të përdorë fonde publike dhe të ketë akses në financime shtetërore.
Risk i ulët për investitorët – Bankat private përballen me rreziqe tregu dhe humbje financiare, ndërsa BZH ka garanci shtetërore, duke ulur presionin mbi kapitalin e saj.
Ky favorizim krijon një konkurrencë të pabarabartë në treg, duke dëmtuar bankat ekzistuese private dhe duke penguar zhvillimin e një tregu të hapur dhe të ndershëm duke sfiduar dhe parimet e nenit 3 të ligjit 9121/2003 i ndryshuar, ” Për mbrojtjen e konkurencës”.
b. A do të ndikojë Banka e re e Qeverisë në kreditimin e sektorit privat?
Një nga shqetësimet më të mëdha është ndikimi i BZH në tregun e kredive. Duke pasur kapital shtetëror dhe politika kreditimi të drejtuara nga qeveria, kjo bankë mund të ofrojë kredi me kushte më të favorshme se bankat private, duke i nxjerrë ato jashtë tregut në disa segmente financiare.
Pasojat e mundshme për konkurrencën mund të jenë:
• Deformimi i tregut të kredive – Nëse BZH ofron kredi me norma më të ulëta, bankat private do të përballen me vështirësi në ruajtjen e klientëve.
• Favorizimi i klientëve të qeverisë – Ekziston rreziku që BZH të japë kredi për projekte të afërta me interesat politike të qeverisë, duke kufizuar qasjen në financime për sektorë të tjerë të tregut.
• Ndikimi në standardet e rrezikut – Bankat private përdorin analiza të thelluara për miratimin e kredive, ndërsa BZH, e orientuar nga qeveria, mund të japë kredi të rrezikshme, të cilat mund të mos jenë të qëndrueshme financiarisht.
Kjo mund të çojë në një efekt domino ku bankat private reduktojnë kreditimin, sektorët e biznesit mbeten të varur nga një bankë shtetërore dhe risku financiar për qeverinë rritet ndjeshëm.
c. Pjesëmarrja e qeverisë si lojtar në një treg privat
Në Shqipëri, bankat kanë qenë historikisht private që nga vitet 2004, dhe shteti nuk ka pasur një rol aktiv në sistemin bankar. Me krijimin e një banke shtetërore, qeveria nuk është më vetëm rregullator, por edhe konkurrent.
Ky është një konflikt interesi i madh, sepse:
• Banka Qeveritare do të jetë e mbrojtur nga rregullat që zbatohen për bankat e tjera private, duke marrë përparësi në treg.
• Qeveria mund të ndërhyjë në politikat financiare të bankës për qëllime politike dhe jo domosdoshmërisht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
• Bankat private mund të pengohen të zgjerohen ose të ofrojnë produkte të reja, pasi një institucion shtetëror me financim të garantuar mund të dominojë tregun.
Në asnjë ekonomi të lirë nuk lejohet që shteti të jetë njëkohësisht konkurrent dhe rregullator i tregut, pasi kjo krijon një ambient të padrejtë për sektorin privat.
d. Rreziku i pastrimit të parave dhe ndikimi në tregun bankar.
Një tjetër shqetësim i madh është rreziku i pastrimit të paravepërmes BZH. Bankat private ndjekin standarde të rrepta ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave (AML)ndërsa BZH do të operojë me fonde publike dhe private, duke krijuar një mundësi për kapital me burim të paqartë.
Ndërsa sektori bankar shqiptar ka qenë në qendër të vëmendjes për pastrim parash dhe një institucion i ri shtetëror pa mbikëqyrje të plotë nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet ndërkombëtare mund të përkeqësojë këtë situatë.
Nëse BZH nuk zbaton rreptësisht rregulloret e parandalimit të pastrimit të parave, Shqipëria mund të përballet me probleme në raportet ndërkombëtare dhe të dëmtojë imazhin e sektorit të saj financiar dhe po ashtu integrimin.
Rastet e publikuara në hetime e dosjeve të fundit tregojne dërgime të vlerave të mëdha financiare nëpërmjet trasportit ajror, detar (Dosja Toyta Yaris dhe banda e Elbasanit) janë maja e ajbergut për pastrimin e parave në fushën e ndërtimit.
V. Përfundime
Ligji për BZH paraqet sfida të mëdha për zhvillimin ekonomik, konkurrencën bankare dhe mbrojtjen e fondeve publike. Ai përbën një shkelje të praktikave evropiane dhe standardeve kushtetuese. Banka e re e qeverisë mund të çojë në deformim të konkurrencës duke marrë avantazhe të padrejta në tregun bankar. Ndërsa ndikimi politik në kreditim rrit rrezikun e përdorimit të saj për interesa të qeverisë dhe jo të ekonomisë, ekziston një rrezik i madh për pastrimin e parave përmes kësaj banke, pasi mungon një mbikëqyrje e qartë dhe e rreptë.
Qartazi Shqipëria po krijon një model që nuk ndjek asnjë standard evropian, pasi nuk ka as kontroll parlamentar, as ndarje të qartë mes qeverisë dhe bankës, që mund tē dëmtojë integrimin e vendit në BE.
Në 11 maj, Shqipëria jo vetëm do të ketë një qeveri të re, por edhe një pronar të ri të një banke shtetërore, krijimi i së cilës mbetet i mbushur me paqartësi dhe rreziqe të mëdha.