13 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Bankat shqiptare dorëzojnë aplikimet në zonën unike/ Transfertat ndërkufitare me kosto të ulët nisin në tetor 2025

Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave dërguan sot më 10 prill 2025, pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), paketën e aplikimeve për anëtarësimin e bankave në skemën e transfertave të kreditit SEPA. 

Të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.

Kjo është koha më e parë, e vendosur nga EPC, kur ofruesit e shërbimeve në Shqipëri mund të nisin kryerjen e këtyre transaksioneve ndërkufitare në Euro përmes SEPA-s.

Vendimi për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA u mor nga EPC më 21 nëntor 2024, ndërsa institucionet financiare mund të nisnin aplikimin për aderimin në skemat e pagesave SEPA vetëm prej muajit prill 2025.

Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë orientuar intensivisht bankat në procesin e aplikimit, duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë organizoi disa workshop-e me ekspertë të Bankës Botërore për të qartësuar kërkesat dhe kriteret për aplikimin e secilit institucion, si dhe për t’i udhëzuar mbi plotësimin e dokumentacionit.

Njëkohësisht, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me EPC dhe me komunitetin bankar për të plotësuar çdo mangësi të identifikuar dhe për t’i nxitur të gjitha bankat të jenë pjesë e skemave SEPA.

Pjesëmarrja në skemat SEPA do të sjellë përfitime të ndjeshme për konsumatorin dhe biznesin shqiptar, përmes uljes të kostos së transfertave dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë bankat në finalizimin e përshtatjeve teknike, për të qenë të afta të ofrojnë transaksione ndërkufitare më të lira për shqiptarët në momentin më të parë.

Scan 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *