Dhjetëvjeçari i fundit ka shënuar një revolucion në fushën e pagesave për tregun shqiptar. Tregues i këtij transformimi ishte edhe pranimi i Shqipërisë në SEPA më 21 nëntor të këtij viti.
Gjatë mbledhjes së 10-të të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Guvernatori Sejko u ndal në përfitimet që do të ketë vendi ynë nga anëtarësimi në SEPA, pasi edhe institucionet financiare të aplikojnë individualisht për t’u bërë pjesë e Tregut Unik të Pagesave në Euro.
“Në radhë të parë, ky anëtarësim do t’u kursejë aktorëve ekonomikë rreth 20 milionë euro vetëm gjatë vitit të parë, si rezultat i uljes së komisioneve. Së dyti, krijimi i një ambienti mbështetës për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si tregtia do të lehtësojë transaksionet me partnerët tanë kryesorë evropianë dhe do t’u japë akses bizneseve shqiptare në një treg prej 500 milionë banorësh. Së treti, ndikim të rëndësishëm pritet të ketë edhe në sektorin e turizmit, si dhe në dërgesat e emigrantëve dhe investimet direkte, të cilat kanë një kontribut domethënës për ekonominë shqiptare. Megjithatë, këto përfitime do të mund t’i prekim pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA, çka kërkon që ato të jenë teknikisht të afta të lidhen me këto skema.”
Sejko inkurajoi të gjitha institucionet financiare që të aplikojnë për licencë në fushën e bankingut të hapur.
“Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e një vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare. Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), i cili do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët.”
Përveç përfitimeve personale të konsumatorit, në një plan më të gjerë, kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare.
Scan.tv