27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

BB: Emigracioni po dëmton fëmijët shqiptarë

Banka Botërore vëren se emigracioni masiv i shqiptarëve në kërkim të një jetë më të mirë po lë pasoja të mëdha negative tek familjarët dhe veçanërisht fëmijët që ata lënë pas. Duke referuar disa studime prestigjozë në këtë fushë BB vëren se përfitimet ekonomike që familjet marrin nga emigracioni nuk janë pa kosto.

“Mungesa e emigrantëve mund të ketë pasoja negative edhe pse familjarët përfitojnë mbështetje financiare. Për shembull, në Shqipëri fëmijët e prindërve emigrantë kanë pjesmarrje më të ulët në shkolla si dhe vuajnë pasoja psikologjike,” thuhet në raportin botëror të emigracionit.

Shqipëria është një nga vendet me emigrimin më të lartë, ku 40 për qind e popullsisë jeton në emigrim. Për shumë familje, emigracioni është rruga e vetme për të mbijetuar ekonomikisht.

“Në Shqipëri dërgesat e emigrantëve dyfishojnë të ardhurat e familjeve që ndodhen në 30 për qindëshin më të varfër të shoqërisë duke i bërë këto të ardhura një instrument kyç në mbijetesën e tyre” vëren BB.

Por bashkë me përfitimet ekonomike emigracioni sjell dhe një sërë pasojash negative, ku dëmet tek fëmijët nuk janë të vetmet. Një tjetër pasojë e madhe negative është plakja e shpejtë e popullsisë.

Sipas BB, aktualisht pesha e të moshuarve mbi 65 vjeç në popullsinë shqiptare ka arritur në 16 për qind e totalit. Kjo peshë kaq e lartë e të moshuarve në popullsi është karakteristikë vetëm e vendeve të pasura, të cilat kanë sisteme sociale të fuqishme. Ndërsa për Shqipërinë, një vend me buxhet të varfër, pesha e lartë e të moshuarve në popullsi mund të shndërrohet në një kërcënim ekonomik, por edhe social.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *