Berkshire Hathawy, kompania e miliarderit amerikan Warren Buffet, deklaroi se zotërimet e saj në bonot e thesarit afatshkurtra të qeverisë amerikane arritën në 234.6 miliardë dollarë në fund të tremujorit të dytë, sipas publikimit të saj të fundit të fitimeve. Kjo është 81% më shumë nga rreth 130 miliardë dollarë që ishte vlera e investimeve të kompanisë në bono afatshkurtra në fund të vitit 2023.
Shifra rekord eklipson edhe zotërimet e bonove të thesarit të Rezervës Federale, të cilat aktualisht janë 195.3 miliardë dollarë.
Për kontekstin, bonot e thesarit 1-mujore paguhen me interes 5.33%, bonot 3-mujore 5.22% dhe 6-mujore 4.95%.
Këto norma interesi duhet të gjenerojnë fitime pa rrezik prej rreth 12 miliardë dollarë në vit për zotërimet masive të Berkshire Hathaëay në letrat me vlerë të qeverisë amerikane, ose fitime tremujore prej rreth 3 miliardë dollarësh.
Në mbledhjen vjetore të aksionerëve të Berkshire Hathaway në maj, Buffett i quajti bonot e thesarit “investimi më i sigurt që ekziston”.
Bonot e thesarit gjithashtu u ofrojnë investitorëve të tyre stimuj tatimorë, pasi interesi i paguar është i përjashtuar nga taksat shtetërore dhe vendore.
Shtesat e Thesarit nuk ishin lëvizja e vetme e guximshme nga Berkshire në tremujorin e dytë. Kompania gjithashtu uli aksionet e saj në aksionet e Apple me rreth gjysmën gjatë periudhës, duke shitur rreth 390 milionë aksione.
Alarmi Buffet
Preferenca e Buffett për letrat me vlerë të qeverisë gjatë muajve të fundit ka shqetësuar jo pak investitorë në tregjet e aksioneve. Buffet është një ikonë e investimeve në bursa. Por kohët e fundit ai thotë se vlera e aksioneve apo titujve të tjerë të korporatave private në bursa është fryrë përtej logjikës, çka i bën ato një investim me rrezik të lartë.
Acarimi i miliarderit amerikan me tregun e aksioneve nuk është një gjë e vogël për shkak se në të kaluar Buffet ka qenë gjithmonë një nuhatës i mirë i krizave të bursave. Edhe këtë herë duket se ai ka qëlluar sërish në shenjë, për shkak se gjatë ditëve të fundit bursat globale janë përfshirë nga një panik, i cili ka zeruar thuajse të gjitha fitimet vjetore të aksioneve dhe titujve të tjerë që tregtohen në to.