27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

BERZH zgjeron skemën e subvencionit për eficencën energjetike të banesave, familjet përfitojnë 20% të investimit falas

Familjet që ndërtojnë apo rikonstruktojnë banesat e tyre mund të marrin kredi pa garanci dhe të përfitojnë 20 për qind të investimit falas nga fondi për ekonominë e gjelbër.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim zgjeroi skemën duke akorduar një kredi prej 3 milionë eurosh për Intesa Sanpaolo Bank Albania për kreditimin e mëtejshëm të individëve dhe kompanive të ndërtimit me synimin për të përmirësuar standardet e gjelbra në këtë sektor.

Kredia do të mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Fondit të Bashkëpunimit Japoni-BERZH.

Huaja e BERZH-it në kuadër të programit Green Economy Financing Facility (GEFF) do të mbështesë efiçencën e energjisë dhe investimet në energjinë e rinovueshme nga banorët individë, kolektivët e banesave, kompanitë e ndërtimit dhe sektorin publik.

Me instalimin e suksesshëm të teknologjive të gjelbra, pronarët e shtëpive do të përfitojnë nga pagesat stimuluese që do të arrijnë deri në 20 për qind të vlerës së kredisë. Programi i GEFF do të sigurojë financimin për të mbështetur investimet në teknologjitë e gjelbërta me performancë të lartë, materiale të qëndrueshme dhe zgjidhje inovative për banesat dhe ndërtesat e banimit në pronësi private.

Së bashku me aksesin në financa nëpërmjet kredive GEFF, pronarët e shtëpive do të marrin udhëzime për zgjedhjen dhe blerjen e pajisjeve të kursimit të energjisë, të tilla si izolimi, dritaret, pompat e nxehtësisë dhe panelet diellore, të cilat do të reduktojnë emetimet e gazeve serrë, do të ulin kostot e energjisë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.

Ekaterina Solovova, Drejtuesja e BERZH për Shqipërisë, tha: “Ne jemi të kënaqur që vazhdojmë të mbështesim tranzicionin e ekonomisë së gjelbër në Shqipëri. Financimi i GEFF do të mundësojë investime të rëndësishme në ndërtesat e banimit duke rritur efiçencën energjitike, dhe rrjedhimisht sjell uljen e faturave të energjisë për qytetarët shqiptarë dhe kursim energjie për vendin”.

Alessandro D’Oria CEO i Intesa Sanpaolo Bank shtoi: “Që nga viti 2015, Intesa Sanpaolo Bank Albania ka bashkëpunuar dhe zbatuar projekte të suksesshme në bashkëpunim me BERZH-in për të mbështetur bujqësinë, turizmin, gratë në biznes dhe të rinjtë në biznes. Gjithashtu, së bashku kemi përmbyllur financime të qenësishme të projekteve të rëndësishme për infrastrukturën, energjinë dhe turizmin e qëndrueshëm të vendit. Nëpërmjet këtij financimi të ri, ne do të mundësojmë investimet e gjelbra për familjet sipas strategjisë sonë ESG”.

Programi GEFF i BERZH-it ka ndihmuar më shumë se 18,500 pronarë shtëpish në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar efikasitetin e tyre të energjisë. Në përgjithësi, programi ka kontribuar në rreth 260,000 Mwh kursime të energjisë dhe një reduktim prej më shumë se 25,000 ton emetime CO2 në vit në Ballkanin Perëndimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *