28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Beteja e mbrapshtë kundër Vullnet Sinajt

Klodian Tomorri

Opozita ka nisur betejën ligjore për të hequr mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj, pasi ky i fundit sipas tyre ka përfituar para nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Të enjten grupi Parlamentar i Partisë Demokratike publikoi urdhrin e Kryetares së Kuvendit për thirrjen e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren më 4 shtator, për diskutimin e mocionit të 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të Sinajt, i njohur si pronari i rrjetit të marketeve Big Market.

Në rrafshin historik ky mund të jetë një nga aksionet më të pavlera, por edhe më të mbrapshta, që një opozitë ka ndërmarrë ndonjëherë në Shqipëri. Kjo për disa arsye.

Së pari, vet Partia Demokratike pretendon se shuma totale e përfituar nga kompanitë e deputetit socialist nga thesari i shtetit është më pak se 3.6 milionë lekë. Në fakt, as kjo shumë nuk është e saktë se një pjesë e madhe e saj janë rimbursim TVSH. Një pjesë tjetër e atyre që mbeten janë kryesisht blerje gjykatash apo institucionesh të tjera të pavaruara nga qeveria dhe pushteti legjislativi maxhorancës. Por edhe sikur të ishte e vërtetë dhe ndryshe, mjafton vetëm shifra për ta bërë të gjithë aksionin opozitar qesharak.

Zoti Sinaj zotëron një rrjet të gjerë kompanish, xhiroja totale e të cilave shkon dhjetra milionë euro në vit. është e qartë se shuma e pretendenduar që opozita e akuzon se ka marrë nga thesari nuk përbën as 0.000 dhe shumë zero të tjera pas presjes të xhiros së tij vjetore. Dhe shifra e fitimeve të mundshme duhet të jetë akoma dhe me më shumë zero pas presjes.

Së dyti, edhe ato shifra qesharake janë kryesisht blerje të vogla që mund të jenë bërë në kasë nga nëpunës publikë dhe nuk është detyrë e kasierëve të njohin nepunësit e institucioneve të shtetit.

Së treti, një rrjet marketesh si Big Market mund të lëshojë me qindra mijëra fatura në ditë. Opozita po kërkon heqjen e mandatit të deputetit socialist, për ato pak muaj që kanë mbetur deri në zgjedhje për vetëm 20 fatura në 7 vjet. Vetë Edi Rama deklaroi publikisht se Vullnet Sinaj nuk do të kandidojë më si deputet.

Konflikti i interesit në sektorin publik ndodh në ato që quhen sektorë krony të ekonomisë. Këto janë ndërtimi, shfrytëzimi i pasurive publike, koncesionet, karburantet etj. Kompanitë e Sinajt ushtrojnë aktivitetin e tyre kryesisht në retail, një sektor me konkurrencë të lartë dhe që nuk bazohet mbi favoret publike. Për të mos thënë që rrjeti i tij i marketeve ka dhe një meritë të madhe duke qenë ndër të parët zinxhirë të retailit që formalizuan këtë sektor. 

Të gjitha këto janë arsyet, të cilat e bëjnë aksionin opozitar të investuar në betejën për mandatin e Sinajt totalisht të pavlerë.

Por ka dhe një dyshim që ai mund të jetë i mbrpashtë. Fokusimi tek Sinaj si simboli i konfliktit të interesit të pushtetetit heq vëmendjen nga skandalet e vërteta korruptive dhe konfliktet flagrantet të interesit në sektorët krony, të cilat maxhoranca i ka me shumicë.

Ky portal nuk ka asnjë konflikt interesi me zotin Sinaj. Nuk ka patur asnjëherë marrëdhënie financiare me kompanitë e tij apo të njerëzve pranë tij. Por në mesin e deputetëve të maxhorancës, Vullnet Sinaj është ndër të paktët, i cili nuk ka njolla abuzimesh mbi shpinë apo të përdorimit të pushtetit për të shtuar pasurinë e tij. Kompanitë e Sinajt nuk marrin tendera, nuk vjedhin toka në bregdet për të ndërtuar resorte, nuk kanë marrë koncesione dhe nuk shfrytëzojnë asete apo privilegje publike.

Dhe kjo është mbrapshtësia e aksionit opozitar kundër tij. Goditja e Sinajt e barazon atë me klubin e 5D-ve, inceneratorëve, Abazëve, Ndreve dhe gjithë taborrit të maxhorancës që kanë futur duart drejtëpërtdrejtë në buxhetin e shtetit sipas motos të gjithë janë njësoj. Problemi është se vendit i duhen më shumë deputetë si Sinaj në Parlament dhe më pak se këta të tjerët. Por kjo i normalizon të gjithë, në vend që të promovojë të mirën dhe të godasë të keqen.

I gjithë ky zell mund të ishte i kuptueshëm nëse Vullnet Sinaj do të vazhdonte të ishte sërish në arenën politike, pasi kështu do të hiqej nga loja një konkurrent politik. Por në kushtet kur ai tashmë ka shpallu tërheqjen beteja e opozitës duket e pakuptueshme.

Ajo është në fakt një shpërdorim i kotë energjish dhe shfokusim vëmendje nga skandalet e vërteta korruptive të kësaj qeverie. inceneratorët, 5D-ja, Porti i Durrësit, tokat e bregdetit, tenderat e manipuluar, koncesionet etj etj.

Dhe qytetarëve shqiptarë u mbetet të shpresojnë se burimi i zellit opozitar kundër 200 eurove që ka fituar Vullnet Sinaj nga thesari i shtetit në gjithë këto vite është me të vërtetë mefshtësia politike, jo kjo e shfokusimit të vëmendjes nga skandalet e vërteta. Pasi nëse është kjo, ky vend nuk i ka punët hiç mirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *