Konkurrenca e fortë nga dy gjigandë ndërkombëtar low cost si Wizz Air dhe Ryainar, por edhe pasojat e Covid duket se kanë rezultuar fatale për Albawings. Kompania shqiptare e fluturimeve ka pezulluar operacionet duke tërhequr avionët e saj Boeing 737 nga operimi.
Ndonëse Albaëings nuk ka bërë njoftim publik për mbylljen e aktivitetit, Kapitali arriti ta konfirmojë lajmin nga disa burime të pavarura, ndërkohë që në faqen zyrtare të kompanisë nuk mund të kryhen më rezervime.
Vitin e kaluar kompania shqiptare, zotëroi 5 për qind të tregut të fluturimeve në Shqipëri duke u renditur e treta pas Wizz Air dhe Air Albania. Por gjatë muajve të parë të këtij viti, pjesa e saj e tregut ka rënë në mënyrë dramatike duke shkuar drejt zeros.
Zyrtarisht arsyet e mbylljes së beftë të Albawings nuk dihen. Por tre vitet e fundit, gjendja e saj financiare ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme.
Rënie financiare
Në tre vitet e fundit, për periudhën 2020-2022, Albawings regjistroi një humbje kumulative prej mbi 8 milionë euro. Në vitin 2020 bilanci i saj u mbyll me 2.36 milionë euro humbje, ndërsa një vit më pas humbjet u thelluan në 4.1 milionë euro. Në vitin 2022 shoqëria shënoi përmirësim të bilancit, edhe pse sërish në territor negativ, teksa humbjet e saj u zvogëluan në 1.4 milionë euro.
Në shënimet e bilancit të 2022-shit, përballë gjendjes së vështirë financiare, drejtimi i shoqërisë ka bërë një vlerësim mbi aftësinë e kompanisë për të vazhduar aktivitetin. Pasi morën në konsideratë të gjithë faktorët dhe projeksionet e mundshme, drejtuesit e shoqërisë arritën në konkluzionit se Shoqëria kishte burime të mjaftueshme për të vazhduar
aktivitetin për të ardhmen e afërt. Por ky konkluzion me sa duket ka rezultuar optimist dhe gjendja e saj ka vazhduar të përkeqësohet.
Muajin e fundit, ndaj kompanisë ka patur dy sekuestro preventive mbi kuotat. E para nga debitorë privatë, ndërsa sekuestro e dytë e datës 13 qershor është vendosur nga administrata tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara.
Albawings e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 2015. Aktualisht aksionet e kësaj shoqërie mbahen nga katër aksionerë. Ata janë Dritan Shakohoxha dhe Dhimitër Tola me nga 10 për qind, Nertila Kole me 20 për qind, ndërsa aksioneri i katërt i saj është shoqëria Travel Hub Solutions, e cila mban 40 për qind të aksioneve.