Shqipëria dixhitale që merr miliarda si një lubi e panginjur është në kolaps. Pas sulmit mbi kompaninë telefonike One dhe Kuvendit të Shqipërisë, këtë të merkurë radhën e kanë patur sistemet dixhitale të Kadastrës dhe ai i Tatimeve.
Rënia e sistemit elektronik të Tatimeve praktikisht ka bllokuar të gjitha transaksionet në ekonomi, teksa bizneset nuk mund të fiskalizojnë dot asnjë faturë. Miliona transaksione të bllokuara duke paralizuar zemrën e ekonomisë. Ky është një dëm i jashtëzakonshëm për ekonominë, ndoshta më i madh se sa fatura abuzive e Shqipërisë dixhitale.
Por Tatimet nuk janë të vetmet që kanë rënë. E-Albania, portali qeveritar përmes të cilit shteti ofron të gjitha shërbimet publike ka rënë po ashtu. Tashmë qytetarët nuk mund të kryejnë dot asnjë veprim.
Ndërkohë edhe sistemi i Kadastrës ka ikur në tilt. Kadastra është një nga institucionet me problematike në ofrimin e shërbimeve online. Shumë qytetarë ankohen se janë bllokuar prej muajsh në aplikimet e tyre duke hedhur dyshime të forta se problemi i Kadastrës nuk është thjesht elektronik, por ka dhe arsye të tjera, përfshirë korrupsion.
Teksa e gjithë Shqipëria është praktikisht e paralizuar, autoritetet nuk japin asnjë shpjegim dhe nuk bëjnë transparencë se ccfarë ka ndodhur me infrastrukturën dixhitale të vendit.
A është sërish Shqipëria nën sulm kibernetik apo rënia e sistemeve të shërbimeve publike këtë herë ka arsye të tjera më të errëta. Pavarësisht gjithcckaje, paqëndrueshmëria e shërbimeve publike dixhitale dhe mungesa e garancisë së tyre, po i kushton shtrenjtë ekonomisë dhe qytetarëve.