27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Biznes dhe plumba/ Arrestohet djali i pronarit të ujit Lajthiza

Ka përfunduar arratia për 32-vjeçarin Edison Elezaj, djalin e biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i kompanisë së ujit “Lajthiza”.

Burime bëjnë me dije se ai është arrestuar nga forcat “Operacionale” të Policisë, teksa akuzohet për plagosjen e trefishtë të regjistruar në muajin korrik në një restorant luksoz tek “Rruga e Kavajës” në Tiranë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 në ambientet e restorantit “Savoy Garden” tek kompleksi “Delijorgji”, i cili frekuentohet nga shumë personazhe VIP.

Edison Elezaj shkrepi tre herë armën e tij pa leje tip “TT”, duke lënë të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje, 36-vjeçaren Elona Pinari, vëllain e saj binjak A. Pinguli, 36 vjeç, dhe vëllain e tyre dy vite më të vogël D. Pinguli, 34 vjeç.

Ata u paraqitën menjëherë në një spital privat, ku vajza kishte marrë plagë më të rënda. Në atë kohë, fillimisht Policia e Tiranës e paraqiti sikur Edison Elezajt i ishte shkrepur arma aksidentalisht, pa sqaruar se çfarë kishte ndodhur dhe pas denoncimit në media, e shpalli atë në kërkim, duke i rënduar dhe akuzën për plagosje të rëndë me dashje.

Policia vuri në pranga dhe dy shokët e Edison Elezajt që fshehën armën e krimit, Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj, ndërkohë që u sekuestruar dhe arma e krimit.

Në atë kohë nuk u sqarua se pse djali i biznesmenit të njohur duhet të festonte me armë zjarri në brez. Pritet një komunikatë nga ana e Policisë në lidhje me arrestimin e Edison Elezajt.

Kujtojmë që në vitin 2019, djemtë e biznesmenit Hajri Elezaj (i njohur si pronari i ujit Lajthiza), Edison Elezaj dhe R. Elezaj, janë përplasur me Altin Isaranj, vëllai i ish-Drejtorit të Transportit Rrugor Arben Isaraj.

Në vitin 2013 Hajri Elezaj është dënuar me 6 muaj burg si i përfshirë në skandalin e kontrabandës së naftës Virgin.

Ndërkohë, kompania “Lajthiza” e Hajri Elezit është denoncuar në media dhe se në kundërshtim me vendimet e gjykatës, po tenton zaptimin e 7 burimeve të Mirditës për të ndërtuar fabrikë uji dhe hidrocentral.

Të gjitha këto fakte tregojnë për dobësinë e shtetit ligjor dha barazisë para ligjit.

Boldnews 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *