Qeveria do të hapë industrinë e prodhimit të armëve edhe për kompanitë private. Pas projektligjit që krijoi shoqërinë shtetërore të prodhimit të armëve, Kayo, ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik, një draft të dytë, i cili rregullon prodhimin, tregtimin dhe kërkimin teknologjik të armëve dhe municioneve.
Sipas tij, shoqëria shtetërore Kayo nuk do të jetë prodhuesi i vetëm i armëve dhe municioneve në Shqipëri, pasi ky aktivitet do t’u lejohet edhe kompanive private. projektligji krijon një autoritet të posaçëm shtetëror të quajtur Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, e cila do të liçencojë privatët në prodhimin dhe tregtimin e armëve ushtarake si dhe municioneve.
Por pëvreç kësaj, ai jep lehtësira të mëdha tatimore për kompanitë private që do të investojnë në prodhimin e armëve ushtarake.
“Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë euro do të kenë normën e tatim fitimit 0 për dhjetë vjetë” thuhet në draft.
Kjo nuk është incentiva e vetme për privatët e armëve. Po kështu ata përfitojnë uljen e TVSH-së në masën 10 për qind, përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe nga çdo taksë tjetër vendore apo qëndrore të pasurisë së paluajtshme.
Përveç lehtësirave fiskale, drafti u jep mundësi bizneseve private të kësaj fushe të kenë akses edhe në fondet kërkimore publike si dhe u garanton infrastrukturën me shpenzimet e buxhetit të shtetit.