20 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Bizneset, ja rastet kur nuk do të paguhet tatim mbi qiranë

Jo të gjitha bizneset në vend do të kenë detyrim për të paguar tatim mbi qiranë. Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave, saktëson se në rastin kur personat fizikë ushtrojnë aktivitet fitimprurës (të regjistruar si të vetëpunësuar me apo pa punëmarrës) në ambientet në pronësi të individit personit fizik, nuk do të jenë objekt vlerësimi për tatimin e qirasë, pasi personi fizik dhe individi pronar i pasurisë së paluajtshme kanë të njëjtin status.

Pra e thënë ndryshe, individët e vetëpunësuar që përdorin si zyrë ambientet e shtëpisë së tyre apo e kanë në pronësi të tyre zyrën, nuk do të jenë të detyruar të paguajnë tatim mbi qiranë e ambientit, e cila është në nivelin 15 për qind.

Gjithashtu, sipas udhëzimit në fjalë, nuk do të konsiderohet qiradhënie edhe në rast të ushtrimit të aktivitetit nga personi fizik i vetëpunësuar në ambientin e një personi të lidhur të familjes, me kushtin që të jetë pjesëtar në të njëjtën certifikatë familjare.

Vitin e kaluar administrata tatimore u kërkoi bizneseve që të deklaronin adresën e vend ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Sipas tatimeve, ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.

Por nga ana tjetër është edhe një metodë e tërthortë për të “shënjestruar” ato apartamente që janë dhënë me qira për njësi biznesi por nuk janë deklaruar të tilla nga pronarët e tyre, me qëllim shmangien e tatimit mbi qiratë.

Qeveria parashikon që të ardhurat nga tatimi mbi qiratë të kenë një rritje progresive nga viti në vit, të parashikuara në 1 miliardë lekë në 2025, për të arritur në 1.5 miliardë lekë në 2027-ën.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *