Shqipëria dhe Portugalia i janë bashkuar iniciativës së Mburojës së Qiellit Europian (ESSI) duke u bërë përkatësisht, anëtarët e 23-të dhe të 24-të. Edhe pse çuditërisht qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për këtë, njoftimi është dhënë nga ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius në një postim në një rrjet social, duke konfirmuar suksesin e plotë të nismës.
E lindur mes skepticizmit të përgjithshëm, ESSI është rritur me shpejtësi për t’u bërë një nga ndërmarrjet më të mëdha të bashkëpunimit të regjistruar ndonjëherë në sektorin e mbrojtjes, në të cilin marrin pjesë edhe vende neutrale si Zvicra dhe Austria.
Në tetor 2023, 15 vende evropiane (Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar) nënshkruan marrëveshjen ESSI për rrjetin kundërajror/anti-raketë.
Më pas nismës iu bashkuan dhe Austria, Danimarka, Suedia dhe Zvicra, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve anëtare në 19. Greqia dhe Turqia kanë deklaruar gjithashtu dëshirën e tyre për t’u bashkuar me ESSI, si dhe Polonia.
Qëllimi i ESSI është të grupojë kërkesën evropiane në mënyrë që blerja e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore të menaxhohet më shpejt dhe më ekonomikisht, duke kontribuar në arritjen e ekonomive të konsiderueshme të shkallës dhe në të njëjtën kohë ndërveprimin e sistemeve të menaxhuara nga vendet që aderojnë në nismë.
Për këtë qëllim, nisma ESSI përfshin blerjen e përbashkët të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore, duke përfshirë kryesisht, por jo ekskluzivisht sistemet e mbrojtjes me pikë Skyranger, sistemet raketore IRIS-T SLS-SLM-SLX, Patriot dhe Arroë 3, këto të fundit për mbrojtjen raketore të përzgjedhura nga Gjermania, e cila do të marrë njësitë e para duke filluar nga ky vit.
Në fakt, anëtarësimi në ESSI nuk është i detyrueshëm, aq sa disa vende pjesëmarrëse kanë filluar procedurat e blerjes për sisteme të tjera si CAMM, NASAMS, Barak etj.