28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bloomberg: Rama do t’i japë Sazanin dhe Zvërnecin dhëndrrit të Donald Trump

Agjencia prestigjoze amerikane, “Bloomberg” raporton se kompania “Affinity Partners” e Jared Kushner planifikon mbi 1 miliard dollarë investimesh pronash në Ballkan. Sipas Bloomber, investimet e kompanisë së dhëndrrit të Donald Trump përfshijnë një eko-resort luksoz në ishullin e Sazanit dhe një kompleks gjigand vilash dhe resortesh në Zvërnec. Gjithashtu, në Serbi, firma synon të rizhvillojë blloqet historike të Beogradit në një hotel dhe rezidenca luksoze.

Këto projekte do të financohen me investime të rëndësishme të Lindjes së Mesme, duke përfshirë 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Sipas agjencisë Bloomberg, ndërmjetësuesi për këtë projekt ka qenë Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA në Gjermani dhe ish i dërguari i posaçëm për Ballkanin dhe dialogun Kosovë-Serbi. Verën e kaluar, Grenell shoqëroi Jared Kushner dhe gruan e tij, Ivanka Trump gjatë pushimeve disaditore në jug të Shqipërisë.

Në artikullin e publikuar nuk bëhet me dije se mbi çfarë marrëveshjeje, procedure prokurimi apo kontrate do të zhvillohen këto projekte, të cilat janë në pronë publike në Shqipëri dhe të mbrojtura nga legjislacioni mjedisor.

Ky investim duket se nxjerr zbuluar edhe mazhorancën që kërkoi me ngulm ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, që i hapte rrugë ndërtimeve dhe betonizimit të këtyre zonave, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli.

Kjo vërteton edhe një herë se kryeministri Edi Rama mendon vetëm për një grup njerëzish dhe jo për interesat e qytetarëve shqiptarë, teksa ligji i fundit i miratuar në Kuvend tregon se ka qenë me porosi prej tij. Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan Karaburun, i vetmi park tokësor dhe detar në Shqipëri.

Pjesë nga shkrimi i “BLOOMBERG“

Firma e kapitalit privat të Jared Kushner, Affinity Partners, është në fazat përfundimtare të diskutimeve në lidhje me tre investime të rëndësishme për zhvillimin e pronave në Ballkan, me investimin total potencialisht mbi 1 miliard dollarë.

Firma me bazë në Miami po shikon transformimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri, më parë një bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman. Për më tepër, Affinity planifikon të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit në Shqipëri, duke synuar të prezantojë disa resorte kryesore me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli.

Kushner, në një intervistë për Bloomberg News, shprehu admirimin e tij për ishullin e Sazanit, duke e përshkruar atë si një nga brigjet më të pacenuara dhe unike në botë.

“Sazani është unik dhe i pacënuar. Nuk kam parë si ai ishull në asnjë vend tjetër në botë”, thotë Kushner për Bloomberg.

Investimet Strategjike në Serbi

Një tjetër projekt ambicioz përfshin rizhvillimin e tre blloqeve të braktisura në zemër të Beogradit, Serbi. Këto blloqe, të mbetura bosh që nga bombardimet e NATO-s në prill 1999, janë planifikuar të shndërrohen në një hotel luksoz, hapësirë tregtare dhe mbi 1500 rezidenca. Kjo lëvizje nënkupton një investim strategjik në rigjallërimin e zonave historike dhe kontributin në zhvillimin urban të kryeqytetit të Serbisë.

Financimi

Jared Kushner, ish-këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump, themeloi Affinity Partners pasi la shërbimin qeveritar. Firma, me asete që arrijnë në 3.1 miliardë dollarë, ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga investitorë të mbështetur nga shteti i Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Firma e Kushner është gjithashtu duke eksploruar investime në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Veçanërisht, Kushner luajti një rol vendimtar në Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa kombeve arabe në vitin 2020. Ai ka deklaruar se nuk ka në plan të ribashkohet me administratën e Trump nëse krijohet mundësia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *