Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që autorizon Autoritetin Portual të Durrësit të negociojë drejtëpërdrejtë për të lidhur marrëveshje konsulence me kompaninë Royal Haskoning DHV. Sipas vendimit, kompania hollandeze do të këshillojë Autoritetin Portual për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.
“Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi të autorizojë Autoritetit Portual Durrës për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me subjektin ndërkombëtar “Royal Haskoning DHV”, brenda fushës së kompetencës së saj, një fushë me interes strategjik për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto Romano,” thuhet në vendimin e qeverisë.
Kjo është vendimi i tretë brenda dy javëve, ku qeveria autorizon institucionet publike të lidhin kontrata konsuence me kompani të huaja. Dy javë më parë, Këshilli i Ministrave autorizoi ministrinë e Drejtësisë, që të negociojë dhe lidhë marrëveshje konsulence me kompanina amerikane të lobimit Boston Consulting Group si këshilltare për të luftuar korrupsionin.
Javën e kaluar, qeveria autorizoi sërish ministrinë e Drejtësisë që të lidhë një marrëveshje konsulence për luftën kundër kriminalitetit me kompaninë G37 Chambers. Sipas këtij vendimi ministri i drejtësisë autorizohet të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.
Kjo e Autoritetit Portual bëhet kështu marrëveshja e tretë e konsulencës brenda dy javëve, ndërkohë që fatura e tyre do të zbulohet pas lidhjeve të kontratave që do të dalin si rezultat i negocimit të drejtëpërdrejtë. Shpesh kontratat e shtrenjta të konsulencës me kompani ndërkombëtare janë përdorur si kamuflazh pagesash lobimi që qeveria bën në aerenën ndërkombëtare.