26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Uncategorized

BQE në mes të luftës/ Të fortët kërkojnë rritje normash, por vendet e dobëta të Europës po lëngojnë

Skifterët kundër pëllumbave. Ose ata që kërkojnë rritjen e mëtejshme të normave të interesit kundër atyre, të cilët bëjnë presion për të kundërtën. Ky do të jetë edhe një herë skenari i takimit të shtatorit të Bankës Qendrore Evropiane, me Presidenten Christine Lagarde në rolin e saj veçanërisht të pëlqyeshëm, atë të ndërmjetëses midis dy grupeve, ndryshimi i të cilëve në thelb mbivendoset me atë midis vendeve veriore dhe atyre jugore, që përdorin monedhën e përbashkët europiane.

Rezultati më i mundshëm – por jo domosdoshmërisht më i dëshirueshëm – mund të jetë, sipas shumë analistëve, ai i një pauze, në një shtrëngim që sigurisht nuk ka përfunduar.

Kujdestarët e ortodoksisë
Në vendet e “pëllumbave” është e lehtë t’i shohësh skifterët si kujdestarë të zymtë dhe shpesh “teutonikë” të një ortodoksie disi abstrakte, doktrinare, nëse jo ideologjike, të pandjeshme ndaj nevojave të qytetarëve. Sot, pas zbulimeve – jo të reja – të anomalive në buxhetin gjerman, ato madje shfaqen të veshura të paktën me një vello hipokrizie.
Megjithatë, pozicioni i tyre mund të interpretohet në një mënyrë krejtësisht të kundërt.

Ilaçi për inflacionin e lartë është i dhimbshëm, më i dhimbshëm se kura e recesionit, sepse zgjat më shumë dhe ende imponon një fazë stanjacioni nëse jo tkurrje të aktivitetit ekonomik. Rreziku për bankat qendrore që nuk veprojnë me vendosmëri të mjaftueshme është edhe ai i fillimit të një agonie të gjatë dhe të dhimbshme për ekonominë, në të cilën inflacioni nuk bie sa duhet dhe rritja dobësohet. A është vërtet pozicioni më i matur, ai i pëllumbave?

Ka shumë të ngjarë që shtrëngimi do të duhet të vazhdojë gjithsesi. Inflacioni mbetet i lartë, veçanërisht në komponentin bazë, i cili përjashton energjinë dhe ushqimin e patrajtuar dhe fokusohet në çmimet e menaxhueshme me politikën monetare. Indeksi i përgjithshëm, në gusht, po rritej me 5.3% në vit, nga niveli më i lartë prej 10.6% në tetor 2022, dhe ai “bazë” ishte 6.2%, nga rekordi prej 7.5% në maj 2023.

Referenca e BQE, pra norma bazë në 4.25%, është ende negative në terma realë krahasuar me inflacionin aktual, edhe nëse është pozitive në krahasim me projeksionet – të cilat ndër të tjera tani do të rishikohen – për inflacionin mesatar të vitit 2024 (3%) dhe 2025 (2.2%).

Kushtet financiare sinjalizojnë një kthim të konsiderueshëm të yield-eve në pjesën e shkurtër të kurbës – që shpreh dhe zbaton politikën monetare – në nivelet e qershorit, pas rënies në korrik. Në fund të korrikut 2008, në kohën e kulmit të mëparshëm të inflacionit, kurba e yield-eve ishte dukshëm më e lartë (edhe nëse krahasimi ka një vlerë thjesht treguese për shkak të diferencës së thellë në kushtet makroekonomike).

Kursi efektiv i këmbimit të euros, ndonëse shumë më pak i rëndësishëm, është rikthyer pak më poshtë se mesatarja afatgjatë, e tejkaluar para pushimit të verës: nga korriku e deri më sot, euro/dollar ka ndjekur një prirje rënëse me pak ndërprerje. Në këtë nivel, në rrjedhën e sipërme të zinxhirit të transmetimit, shtrëngimi është në ndalesë për rreth tre muaj.

Duke shkuar më tej në brezin e transmetimit të politikës monetare, rritja e kostos së kredisë duket qartësisht shumë e shpejtë – filloi nga nivele shumë të ulëta – por, edhe në këtë rast, nivelet e së kaluarës nuk janë arritur, kur inflacioni ishte më pak i lartë dhe presionet më pak të qëndrueshme se sa ai aktual. Prandaj, kreditë për kompanitë jofinanciare kanë ngecur në nivelet e shtatorit 2022.

Ngadalësimi është tashmë i dukshëm: politika monetare ka filluar me të vërtetë të kafshojë. Agregatët monetarë – të cilët kanë vetëm një vlerë treguese, por vazhdojnë të merren në konsideratë nga Këshilli Drejtues – tregojnë gjithashtu një rënie të M1 e cila ka vazhduar që nga shtatori i kaluar dhe një shkatërrim të bazës monetare (“paratë e Bankës Qendrore”), tashmë e kthyer në nivelet e prillit 2021.

Konsumi dhe kreditë
Por a ka vërtet kuptim të ndalosh? Nuk është gabim të vëzhgosh situatën nga këndvështrimi i kreditorëve: punonjësve, para së gjithash, të cilët shohin rënien e fuqisë blerëse të tyre me mundësi të kufizuara rikuperimi dhe kursimtarët, të cilët vuajnë kthime reale negative.

Për ta, një kurë e shpejtë, pra rritje e mëtejshme e normave, edhe me koston e nënvlerësimit të kufizuar të inflacionit, është ndoshta rruga e preferuar. Megjithatë, rreziku është që aktorët e tjerë ekonomikë, debitorët neto dhe mbi të gjitha qeveritë që shohin rritje të normave të interesit, do të jenë të goditurit.

Është e vërtetë, bankat qendrore duhet të marrin parasysh stabilitetin financiar, stabilitetin e qeverive dhe bankave, dhe më shumë. Vetëm pak ditë më parë, ish-presidenti i BQE-së, Mario Draghi, në një artikull në Economist shpjegoi se që nga viti 2012 – pra me mandatin e tij – BQE-ja «ka zhvilluar instrumente të politikës [monetare] që përmbajnë divergjenca të padëshiruara midis kostove të kredisë mes vendeve më të forta dhe atyre më të dobëta dhe ka treguar vendosmërinë për t’i përdorur ato. Kjo ka lejuar që politikat kombëtare fiskale, të cilat luajnë një rol vendimtar stabilizues në zonën e euros, t’i japin një tendencë më të rregullt ciklit ekonomik”.

Rreziku i një shtrëngimi më të gjatë
Ka një arsye pse BQE ka stabilitetin e çmimeve për konsumatorët si objektivin e saj të vetëm prioritar. Kur inflacioni është i lartë, mbajtja e normave më të ulëta se ç’duhet, për të marrë parasysh objektivat e tjerë – rritjen apo stabilitetin financiar – do të thotë të ushqehet rreziku që në të ardhmen e afërt të jetë e nevojshme një politikë monetare më kufizuese se ajo e nevojshme sot, për një kohë më të gjatë dhe me kosto shumë më të larta ekonomike.

Këto janë konsiderata që kanë edhe më shumë kuptim po të kemi parasysh se, nga një këndvështrim i caktuar, tani është koha e duhur për të tentuar të kemi një ndikim real në inflacion. Papunësia është në nivelet më të ulëta historike, një situatë që do ta bënte të vështirë të flitej për një recesion edhe përballë ritmeve negative të rritjes (të cilat, në nivelin e Bashkimit Monetar, nuk kanë ndodhur ende). Procesverbali i mbledhjes së politikës monetare të korrikut theksoi gjithashtu se nuk mungojnë kursimet e tepërta, të akumuluara gjatë pandemisë, të cilat mund të përbëjnë një “tampon” të dytë të rëndësishëm.

Megjithatë, nëse vendimi do të vijë – siç pranojnë shumë analistë – nga ndërmjetësimi “politik”, atëherë është me vend që ai të mos interpretohet si një përplasje mes “të mirës” dhe “keqit” apo mes pragmatistëve dhe doktrinarëve. Një shtrëngim i fortë nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Jo kur inflacioni është i lartë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *