Banka e Shqipërisë deklaroi se ekonomia shqiptare ka fituar 90 miliardë lekë ose 870 milionë euro nga forcimi i lekut kundrejt euros. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit, BSH përllogarit se pa forcimin e lekut Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë sot do të ishte të paktën 90 miliardë lekë më i ulët nga sa është.
Por nga vjen ky përfitim, sipas ekspertëve të BSH?
“Vlerësimet tona sugjerojnë se, në mungesë të forcimit të kursit gjatë dy viteve të fundit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë përqindje më e lartë. Niveli më i lartë i inflacionit do të diktonte një shtrëngim më agresiv të politikës monetare nga ai që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë, çka do të frenonte rritjen ekonomike,” analizon BSH.
Pra, sipas Bankës nëse leku nuk do të ishte forcuar ndaj euros, Shqipëria do të kishte një inflacion shumë më të lartë nga ai që ka. Kjo do ta detyronte Bankën e Shqipërisë që të rriste më shumë normën e interesit duke frenuar rritjen ekonomike të vendit.
Ky është mekanizmi se si forcimi i lekut ka sjellë përfitime për ekonominë shqiptare sipas BSH. Në paragrafin më poshtë, Banka kuantifikon numerikisht përfitimet në shifra konkrete.
“Për vitin 2022, kostoja ekonomike e shtrëngimit më të shpejtë të politikës monetare, do të ishte 32 miliardë lekë (ose më shumë se 1% e PBB-së). Për vitin 2023, kostoja ekonomike shtesë e këtij normalizimi do të ishte rreth 60 miliardë lekë, ose më shumë se 2.5% e PBB-së,” përllogarisin ekspertët e BSH.
Pra në total, nëse leku nuk do të ishte forcuar ndaj euros sot Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të ishte 90 miliardë lekë ose 870 milionë euro më pak se sa është. Një përfitim, që sipas BSH vjen direkt nga kursi i këmbimit.