27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BSH: Euroizimi i ekonomisë u thellua, por deeuroizimi po ecën me sukses

Ekonomia shqiptare po euroizohet më tej, teksa flukset masive hyrëse të monedhës europiane po ndikojnë edhe treguesit e sistemit bankar. Banka e Shqipërisë raportoi se në fund të vitit të kaluar, depozitat në valutë arritën sa 55% e totalit të depozitave në sistemin bankar duke u rritur me 3.2 pikë përqindje në terma vjetorë.

Të dhënat tregojnë se për gjysmën e dytë të vitit, depozitat totale në sistemin bankar u rritën me 6.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por depozitat në valutë u rritën mbi 2 herë më shumë, përkatësisht 15.2 për qind. Kjo ka bërë që pesha e depozitave në valutë të rritet më tej duke arritur në 55 për qind të totalit.

Të njëjtën tendencë ka regjistruar dhe ecuria e kredisë në valutë. Në fund të vitit 2022, kredia në valutë arriti në 52 për qind e totalit të kredisë të dhëna nga bankat. Krahasuar me vitin 2021, pesha e kredive në valutë u zgjerua me 0.9 pikë përqindje. Në fund të vitit 2020, kredia në valutë zinte 50.4 për qind të totalit të kredisë, ose 1.6 pikë përqindje më pak se në fund të vitit 2022.

Në prill të vitit 2017, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të kufizuar përdorimin e euros në ekonominë shqiptare. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë ndërmorri një paketë masash për të nxitur përdorimin e monedhës vendase, që konsistonte kryesisht në tre shtylla kryesore; diferencimin e rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë dhe ato sipas afatit të maturimit në lek; ii) kërkesa më të larta për treguesit e likuiditetit në valutë; dhe iii) ndërgjegjësimin e huamarrësve për rrezikun që paraqet huamarrja në valutë.

Por pavarësisht këtyre masave, ekonomia shqiptare vazhdon të euroizohet më tej siç tregohet nga rritja e peshës si për depozitat ashtu dhe për kreditë në valutë, edhe pse banka e Shqipërisë thotë se euroizimi po ecën me sukses. Pra, operacioni doli me sukses, por pacienti vdiq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *