27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BSH jep alarmin: Emigracioni po frenon ekonominë

Banka e Shqipërisë paralajmëroi se zhvillimet demografike të vendit po dëmtojnë në mënyrë shqetësuese ekonominë e vendit dhe veçanërisht prespektivën e saj për të ardhmen.

“Zhvillimet demografike do të bëhen një pengesë gjithnjë e më e mprehtë për zhvillimin ekonomik të vendit në afatin e gjatë. Popullsia në Shqipëri ka shënuar tkurrje të shpejtë gjatë dekadës së fundit. Rënia e popullsisë është ndikuar nga ulja e lindshmërisë, nga plakja e popullsisë, si dhe nga rritja e emigracionit,” paralajmëron raporti i Politikës Monetare.

Sipas BSH, këto tendenca janë përkthyer në një ngushtim të bazës së piramidës së popullsisë në vend dhe rritje të raportit të popullsisë në moshë të madhe ndaj asaj në moshë të re duke dëmtuar tregun e punës.

“Të dhënat e INSTAT dhe vrojtimet tona pranë bizneseve flasin për kushte gjithnjë e më të shtrënguara në tregun e punës. Bizneset deklarojnë se “mungesa e fuqisë punëtore” është kthyer në një problem serioz në zhvillimin e aktivitetit të tyre. Rëndësia e këtij faktori kufizues është rritur me rreth 3-4 herë gjatë periudhës 2021-2022 kundrejt mesatares së periudhës 2016-2020,” thotë BSH.

Banka paraljmëron se pamundësia e bizneseve për të gjetur punonjës paralajmëron inflacion të lartë dhe rënien e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

“Pamundësia e tregut për t’íu përgjigjur kërkesës së shtuar për punë, si në aspektin sasior dhe në atë cilësor, shndërrohet në premisë për rritje të shpejtë të pagave, të kostove të prodhimit dhe të inflacionit,” vijon raporti.

Vitin e kaluar, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 14.2 për qind për shkak se bizneset janë të detyruar të pranojnë pagesa më të larta, në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore. Të dhënat e raportuara nga Banka Qendrore sugjerojnë se presionet për rritje pagash vazhdojnë të forcohen duke paralajmëruar se rritja e pagave do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *