30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BSH heq licencat e MCA dhe Final

Banka e Shqipërisë revokoi licencat e dy subjekteve financiare jobanka, “Final” dhe “Micro Credit Albania”, duke i hapur rruge procesit te likuidimit te dy kompanive te perfshira ne skemen e mashtrimit me kredite. Banka njoftoi gjithashtu se do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.

Deklarata e plote e BSH:

Nëpërmjet këtij njoftimi, ju bëjmë me dije se Banka e Shqipërisë, sot, më datë 23.5.2024, ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën nr. 11, datë 20.2.2009 të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe licencën nr. 38 datë 9.5.2016 të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k., tashmë e pezulluar me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024.

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.

Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.

Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *