27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

BSH: Rritja e çmimeve ka përkeqësuar financat e familjeve

Banka e Shqipërisë deklaroi se shtrenjtimi i kostos së jetesës ka përkeqësuar gjendjen financiare të familjeve shqiptare, veçanërisht ato që kanë kredi për të paguar. Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022, BSH vëren se aktualisht 26 për qind e familjeve në Shqipëri kanë një hua për të shlyer, por aftësia e tyre paguese ka rënë.

“Rreth 47% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese “nuk ka ndryshuar” gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër raportojnë një përkeqësim të aftësisë së tyre paguese krahasuar me periudhën paraardhëse, të cilën familjet ia atribuojnë rritjes së ndjeshme të çmimeve në vend,” thuhet në raport.

Sipas BSH, buxhetet e familjeve do të mbeten të shtrënguara edhe në gjysmën e parë të këtij viti për shkak të situatës së vështirë ekonomike.  “Prirje të ngjashme paraqet edhe indeksi i pritjeve mbi aftësinë paguese për gjysmën e parë të vitit 2023, i cili sinjalizon pritje më pesimiste të familjeve krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më pare,” vijon raporti.

Vitin e kaluar inflacioni mesatar arriti në 6.7 për qind. Rritja e çmimeve u përshpejtua veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, kur shkalla zyrtare e inflacionit kërceu në mbi 8 për qind e udhëhequr kryesisht nga shtrenjtimi dyshifror i ushqimeve, por edhe grupi i energjisë.

Kjo rritje e kostos së jetesës sipas Bankës së Shqipërisë ka ndrydhur të ardhurat e shumë familjeve shqiptare, duke i vënë ato në vështirësi për të shlyer detyrimet në banka. Edhe pse pesha e kredive të këqija në banka u ul sërish vitin e kaluar, BSH vëren se në muajt e fundit është vënë re një përmbyesje e tendencës.

“Në krahasim me një vit më parë, flukset e shlyerjeve janë pakësuar, ndërsa vëllimi i zhvendosjes së kredive cilësore drejt klasave të kredisë me probleme ishte disi më i lartë,” thotë BSH.

Përveç shtrenjtimit të kostos së jetesës, aftësia paguese e familjeve që kanë kredi është përkeqësuar edhe nga rritja e normave të interesit, të cilat pasi qëndruan për një kohë të gjatë në nivele minimale, kanë shënuar rritje të ndjeshme për shkak edhe të shtrëngimit të politikës monetare nga Banka Qëndrore e Shqipërisë dhe ajo Europiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *