7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

BSH ul normën bazë në 3%/ Pas dallgës inflacioniste, tani Banka e Shqipërisë ka frikë nga deflacioni

Pas dallgës së madhe inflacioniste dhe shtrenjtimit të ndjeshëm të kostos së jetesës, që shkaktoi lufta në Ukrainë, tani ekonomia shqiptare kërcënohet nga inflacioni i ulët ose rënia e çmimeve në territor negativ. Të paktën, kjo është ajo që ka frikë Banka e Shqipërisë.

“Rënia e inflacionit në tremujorin e dytë ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas. Efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit,” deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Shqetësimi për rënien e shpejtë të inflacionit nuk duket kalimtar, por kërcënim real duke e detyruar Bankën Qëndrore të ndryshojë kursin e politikës monetare në 180 gradë. Pas shtrëngimit të papreçedentë që ndërmorri gjatë dy viteve të fundit, në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikqyrës i BSH vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje duke e zbritur atë në 3 për qind. Normat e interesave të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, po ashtu u ulën përkatësisht në nivelet 2.0% dhe 4.0%.

Në shkurt 2022, Banka e Shqipërisë filloi shtrëngimin e politikës monetare në përgjigje të rritjes së inflacionit, duke e çuar normën bazë nga 0.5% në 3.25%. Rritja e fundit ishte në nëntor 2023. Por me fillimin e vitit aktual, tendenca e çmimeve në treg u përmbys dhe tani ekonomia ka problemin e kundërt. Rënien e shpejtë të inflacionit dhe stacionimin e tij për një kohë të gjatë poshtë nivelit të dëshirueshëm nga Banka e Shqipërisë duke frenuar rritjen ekonomike. 

Tendenca që nisi me fillimin e vitit është përforcuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit. Në prill dhe maj, rritja e çmimeve u ngadalësua më tej duke e zbritur inflacionin vjetor në një nivel mesatar prej 2.1%. “Kjo rënie ishte disi më e shpejtë se pritjet tona,” shtoi Sejko.

Rritja pagash dhe deflacion
Zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare modelojnë një situatë deri diku të pazakontë. Edhe pse pagat janë rritur me ritme dyshifrore, kjo nuk ka shkaktuar rritje të çmimeve në treg, siç ndodh zakonisht. Shpjegimet për këtë situatë janë disa. Banka e Shqipërisë mendon se bizneset nuk e kanë përcjellë rritjen e pagave në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë, por e kanë absorbuar atë duke ulur marzhet e tyre të fitimit dhe duke rritur produktivitetin.

Por faktori më i rëndësishëm se pse rritja e pagave nuk është përkthyer në rritje çmimesh duket një tjetër. Inflacioni në ekonominë shqiptare diktohet nga jashtë.

“Rënia e inflacionit u diktua nga reduktimi i shpejtë i çmimeve të artikujve ushqimorë, ndërkohë që artikujt e tjerë të shportës shfaqën norma relativisht të qëndrueshme inflacioni. Kjo rënie vijon të pasqyrojë – në masën më të madhe – reduktimin e inflacionit të importuar, në përgjigje si të një ecurie të ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, ashtu edhe të trendit forcues të kursit të këmbimit,” tha Sejko.

Për të thyer efektin e forcimit të lekut në uljen e çmimeve për mallrat e importit, gjatë muajit të kaluar Banka e Shqipërisë ndërhyri disa herë në treg duke blerë euro. Edhe pse shuma e ankandeve mbahet sekret për një periudhë tremujore, burime nga sektori bankar dhe zyrat e këmbimit valutor thanë se ndërhyrjet ishin me intesitet të lartë.

“Përditësimi i parashikimeve sugjeron se balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është e zhvendosur në kahun e poshtëm në horizontin afatshkurtër. Kjo zhvendosje pasqyron pasiguritë që ekzistojnë mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e goditjes së ofertës mbi çmimet e produkteve ushqimore. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit paraqitet më neutrale në afatin e mesëm”, tha Sejko.

Me uljen e normës bazë, BSH shpreson se rënia e shpejtë e inflacionit do të frenohet.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky lehtësim i qëndrimit të politikës monetare është konsistent me respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Në veçanti, ky lehtësim ilustron fleksibilitetin e politikës sonë monetare dhe adreson rreziqet afatshkurtra mbi inflacionin që burojnë nga goditjet e ofertës dhe një pasqyrim i mundshëm i tyre në pritjet për inflacionin. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo lëvizje është në kah të njëjtë me lehtësimin e qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane në muajin qershor, duke parandaluar pasoja të padëshirueshme që ky veprim mund të kishte në kursin e këmbimit,” përfundoi guvernatori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *