Zhvillimet e fundit të shkaktuara nga drama e mikrokredive kanë tronditur thellësisht qytetarët shqiptarë. Por teksa opinioni publik zien nga debati mbi përgjegjësitë dhe rrugët për të dalë nga këneta e borxheve grabitqare, në terret biznesi i mikrokredive duket se po lulëzon si kurrë më parë.
Iute Credit Albania, kompania më e madhe e mikokredive në Shqipëri raportoi se vitin e kaluar fitimi i saj u rrit me më shumë se 2.3 herë. Sipas të dhënave nga bilanci i publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për vitin 2023 fitimi bruto i Iutes në Shqipëri arriti në 7.53 milionë euro nga 3.4 milionë euro që ishte një vit më parë.
Të dhënat e detajuara tregojnë tregojnë se pjesa dërrmuese e të ardhurave të Iutes vjen nga komisionet dhe gjobat që ajo ngarkon mbi kredimarrësit dhe vetëm 20 për qind e tyre vijnë direkt nga interesat. Sipas pasqyrës financiare, vitin e kaluar kompania siguroi 39.5 milionë euro të ardhura në total, por vetëm 7.6 milionë euro erdhën nga interesat. Gati 17 milionë euro buruan nga komisionet, ndërsa 14.4 milionë euro erdhën nga gjobat dhe tarifat e tjera administrative .
Raporti i ecurisë së kompanisë tregon se vitin e kaluar numri i klientëve të saj arriti në 297 mijë vetë nga 256 mijë që ishtë në vitin 2022.
Promovim agresiv
Iute është një kompani shumë agresive në promovimin e mikrokredive të saj. Vitin e kaluar ajo shpenzoi 650 mijë euro si reklama në media për të joshur qytetarët të marrin kredi pranë saj. Por përtej shpenzimeve direkte të reklamës, kompania raportoi dhe 5.5 milionë euro të tjera në zrin e shpenzimeve për marketing, konsulencë dhe të ngjashme.
Pra në total, gati 6.3 milionë euro buxhet marketingu, çka dëshmon për një qasje agresive të kompanisë jo vetëm në promovimin e produkteve të saj, por edhe zbutjen e zërave publikë kundër pasojave të mikrokredive. Dhe së fundmi, pasojat kanë qenë dramatike, të kulmuara me dy vetëvrasje me shkak direkt biznesin e mikrokredive.
Parlamenti dhe Banka e Shqipërisë kanë njoftuar hartimin e një kuadri të ri ligjor për të zbutur abuzimet në segmentin e mikrokredive, ndërkohë që ky biznes është nën hetim nga prokuroria, pas mashtrimeve masive me mbledhjen e borxheve dhe tjetërsimin e pronave të qyetatëreve nga një kompani tjetër mikrokredish, e quajtur Micro Credit Albania.
Integriteti i sistemit
Modeli i mikrokredive konsumatore, të cilat ngarkojnë norma të larta interesi apo komisionesh nuk është pa pasoja në integritetin e sistemit financiar. Për shkak të kostove të larta dhe segmentit vulnerabël të klientëve që shërben, mikrokredia konsumatore ka një nivel të lartë moskthimi borxhesh. Ky model është një kërcënim për integritetin e sistemit financiar, pasi krijon shembullin që borxhet edhe mund të mos paguhen.
Së dyti, praktikat agresive të ndjekura në rekuperimin e kredive të pashlyera, kanë cënuar besimin e qytetarëve shqiptarë tek sistemi financiar në tërësi. Ky shqetësim i ka vajtur edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Përpjekjet që po bëhen për të forcuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë atë për institucionet financiare jobanka, janë thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar”,” deklaroi misioni i FMN-së në Tiranë pak ditë më parë.