Shqipëria u vizitua nga mbi 614 mijë turistë të huaj më muajin Prill, çka konfirmon se vendi po hyn drejt një tjetër sezoni rekord turistik. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Mjedisit tregojnë se krahasuar me Prillin e vitit të kaluar numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri u rrit me 53 për qind.
Si katërmujor, gjatë periudhës Janar-Prill 2023, Shqipëria është vizituar nga 1.68 milionë turistë të huaj. Kjo shifër është 57 për qind më e lartë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Në vitin 2022, Shqipëria u vizitua në total nga 7.5 milionë turistë të huaj, me një rritje prej 34 për qind krahasuar më vitin 2021. Pas bllokimit në vitin 2020 për shkak të pandemisë, industria e udhëtimeve dhe sektori i turizmit në Shqipëri po rigjallërohen me shpejtësi.
Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë si një nga vendet me ecurinë më të mirë të sektorit të turizmit. Sipas OBT, në tremujorin e parë të këti viti Shqipëria renditet si destinacioni i tretë më performancën më të mirë në botë për sektorin e turizmit, pas Katarit dhe Arabisë Saudite, duke shënuar rritje me 54 për qind të flukseve hyrëse turistike krahasuar me periudhën para pandemisë.