Rreth 28 milionë euro është buxheti i parashikuar për sigurinë kibernetike të autoriteteve publike dhe private në vitin 2024, dëmtimi i sistemeve të informacionit të të cilave do të rrezikonte ofrimin e shërbimeve dhe vazhdimësinë e punës, ose do të kishte pasoja serioze mbi shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Këtë vit numërohen 5 milionë euro më shumë se buxheti prej 23 milionë eurosh i vitit të kaluar.
Në raportin vjetor të Autoritetit Kombëtar për Certifkimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, rezulton se buxheti, si dhe planifikimi për projektet e fushës së sigurisë kibernetike ka një rritje të ndjeshme ndër vite, duke vënë në dukje ndërgjegjësimin e autoriteteve për investime konkrete në fushën e sigurisë kibernetike.
Përgjatë vitit 2023 është katërfishuar numri i kontrolleve me vajtje në vend, në autoritetet publike dhe private me infrastrukturë kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Konkretisht, 49 është totali i operatorëve të infrastrukturave që janë kontrolluar gjatë vitit të kaluar.
Lidhur me dobësitë e sigurisë kibernetike, në 2023-in është kryer vlerësimi i riskut të sigurisë kibernetike në 11 institucione të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pas kryerjes së procest të kontrollit, janë sanksionuar me gjobë në vlerën 3.6 milionë lekë, 6 autoritete publike dhe private me infrastruktura kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Analiza e të dhënave tregon një përmirësim të qëndrueshëm të nivelit të sigurisë në të gjithë sektorët kritikë. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i zbatimit të masave korrigjuese të sigurisë të evidentuara në raportet e kontrollit, rritjes së kapaciteteve njerëzore përmes trajnimeve të specializuara dhe rritjes së ndërgjegjësimit mbi çështjet e sigurisë, si dhe përmirësimit të kapaciteteve tekonlogjike dhe sistemeve të sigurisë.
Sipas vetëdeklarimeve të bëra nga autoritetet, ka një rritje të vogël edhe për sa i përket pozicioneve të dedikuara të punës për sigurinë kibernetike në secilin sektor.
Scan TV