27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Buxheti shpërthen nga paratë/ Qeveria krijon 700 milionë euro sufiçit deri në fund të shtatorit

Bilanci i qeverisë për 9 muajt e vitit u mbyll me një sufiçit prej gati 700 milionë eurosh, teksa të ardhurat publike rezultuan 5 miliardë e 284 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme të buxhetit ishin 4 miliardë e 590 milionë euro.

Të dhënat zyrtare të bëra publike nga ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale në arkën e qeverisë u rritën me 10.7 për qind ose 516 milionë euro krahasuar me 9 mujorin e vitit të kaluar.

Performancën më të mirë gjatë kësaj periudhë e kanë pasur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat u rritën me rreth 30 miliardë lekë ose 300 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Veç të ardhurat nga tatimet dhe doganat, faktori tjetër me kontribut të madh në rritje ishin të ardhurat nga taksat e punës, për shkak të rritjes së rrogave dhe veçanërisht pagës minimale. Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, gjithashtu kanë pasur perfomancë pozitive, duke u realizuar masën 118 miliardë lekë, 12.3 miliardë lekë shumë se 9-mujori 2023, si dhe realizim 100.5% të planit për 9 -mujorin 2024.

Sa i takon zërit të shpenzimeve, me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.8 përqind më i lartë ose rreth 330 milionë euro më shumë. Por qeveria nuk po realizon investimet publike sipas planit të parashikuar.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 47.7 miliardë lekë. Edhe pse me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.8% më i lartë ose rreth 1.3 milardë lekë më shumë, krahasuar me planin ai mbetet me ecuri të dobët. Sipas të dhënave, deri në muajin shtator qeveria ka realizuar vetëm 31 për qind të investimeve vjetore të parashikuara, çka do të thotë se në tre muajt e mbetur të vitit duhet të realizojë 70 për qind të planit të investimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *