Një projektvendim i Këshillit Bashkiak të Sarandës për të dhënë me qira afatgjatë 175 hektarë tokë për ndërtimin e një parku fotovoltaik ka shkatuar zemërimin e banorëve të Nivicës.
Projektvendimi u shpall për herë të parë publikisht në tetor të vitit të kaluar në axhendën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Menjëherë pas publikimit, reaguan dhjetra familje të fshatit Nivicë-Bubar, të cilat pretendojnë se kanë dokumenta pronësie për zonën që po tjetërsohet nga Bashkia.
Nëpërmjet një emaili drejtuar Bashkisë së Sarandës, banorët i kanë bërë thirrje Këshillit të tërhiqet për të mos tjetërsuar një pronë që është e tyrja.
“Duke mos patur mundësi ta kundërshtojmë këtë kërkesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pasi nuk jemi ftuar si palë me interes, ju informojme se prona në fjalë është e bllokuar me vendim gjykate deri në zgjidhjen e ccështjes në themel” thuhet në emailin e familjeve që pretendojnë pronësi mbi tokën.
Por Bashkia e Sarandës ka vazhduar projektin e saj. Një ditë më parë ajo zhvilloi raundin e fundit të konsultimit publik, ku sërish pati kundërshti të shumta.
Kundërshtime jo vetëm për pronësinë
Gjatë 2 ditëve të dëgjesës publike banorët e Sarandës kanë kundërshtuar ndërtimin e Parkut Fotovoltaik. Shpjegimet e dhëna nga përfaqësuesit e bashkisë për krizën në të cilën ndodhet vendi për shkak të shterimit të burimeve energjitike dhe se panelet diellore janë miqësore me mjedisin, nuk kanë bindur banorët për dobinë e pritshme që mund të sjellin këto panele diellore.
Përfaqësuesi i Shoqatave mjedisore Sofo Thomari ka shpjeguar hollësisht pse këto panele nuk duhen ndërtuar në atë zonë.
Thomari tha se zona ku kërkohen të ndërtohen këto panele nuk ka efektivitet, pasi zonën dielli e kap vetëm pas orës 10 të mëngjesit dhe se në zonën e Sarandës ka zona të tjera ku energjia diellore mund të ketë eficensë më të mëdha, duke përmendur Vanën, Vergoin, Bufin dhe Kardhikaqin në Delvinë.
Nga ana e banorëve u tha gjithashtu se zona ku planifikohet të ndërtohen panelet diellore ka probleme me pronësinë.