25 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Çahet asfalti në Rrugën e Arbrit

Pas përmbytjes së urave një ditë më parë, këtë të shtunë rruga e Arbrit është dëmtuar edhe më shumë. Në fshatin Fshat rruga ka pësuar çarje të asfaltit. Siç mund të shihet nga pamjet e gjithë rruga është e ndarë në dy pjesë duke krijuar imazhin e një situate apokaliptike për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

Në qarkun e Dibrës reshjet e shiut kanë vijuar pa ndërprerje duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Gazetari Enver Doçi raportoi për Balkanweb se niveli i asfaltit në rrugën e Arbrit është ulur, ndërsa raportohet për një banesë të dëmtuar nga reshjet. Probleme ka edhe rruga nacionale Klos – Bulqizë me rënien e gurëve duke i detyruar autoritetet që të devijojnë trafikun në rrugën e vjetër.

Rruga e Arbrit

Rruga e Arbrit është koncesioni i parë i qeverisë socialiste për ndërtim rrugësh me vlerë 40.3 miliardë lekë ose 383 milionë euro me kursin aktual. Marrëveshja e koncesionit për ndërtimin e kësaj rruge u firmos në Mars të vitit 2018 me kompaninë Gjoka Konstruksion, e cila u përzgjodh përmes një ligji me procedurë të veçantë negocimi.

Sipas kontratës së koncesionit kompania do ta ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do ta mirëmbante atë për 13 vjet ndërkohë që qeveria do ta shlyente me këste nga buxheti i shtetit. Ndërtimi i rrugës ka hasur në probleme veçanërisht me hapjen e tunelit për shkak të formacionit të paqëndrueshëm gjeologjik.

Rruga është inauguruar nga qeveria dhe aktualisht mundëson lëvizjen përmes një devijimi deri në përfundimin e tunelit. Por herë pas herë ky aks paraqet probleme në qarkullim për shkak të shembjeve, rënies së gurëve, përmbytjeve dhe tashmë edhe çarjes së asfaltit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *