21 Mars, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Çdo shqiptar bëri 23 pagesa dixhitale vitin e kaluar

Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme.

Në forumin e biznesit të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, Guvernatori Sejko u shpreh se falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare.

“Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015. Infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë”.

Ndërkohë, Drejtori i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, u ndal në atë se si bankingu i hapur po revolucionarizon sektorin financiar në Shqipëri.

Përmes open banking, klientët shqiptarë mund të autorizojnë palët e treta të transferojnë fondet nga llogaritë e tyre bankare për të kryer pagesa dhe për të marrë shërbime të ndryshme.

Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *